Lidhje

Përfaqësuesit e medias shprehin indinjatën për burgosjen e gazetares së Nju Jork Tajmsit


Në Shtetet e Bashkuara, një gjykatës mori vendimin për burgosjen e gazetares së New York Timesit Judith Miller, pasi ajo nuk pranoi të deklaronte burimin që i kishte treguar identitetin e një agjenteje të CIA-s. Nxjerrja e identitetit të një agjenteje të CIA-s është vepër kriminale. Kjo çështje ka shkaktuar një farë buje në Shtetet e Bashkuara sepse shumë analistë e shohin si provë për lirinë e shtypit.

Para se të dënohej Judith Miller, gazetari i revistës Time Matthew Cooper, i cili gjithashtu pritej të dënohej për të njëjtën çështje, i deklaroi gjykatësit Thomas Hogan se do të bashkëpunonte në hetimin e prokurorit federal lidhur me nxjerrjen e identitetit të agjentes së CIA-s Valerie Plame, sepse burimi që ia kishte dhënë emrin e kishte lejuar të fliste për bisedën që kishin bërë.

Hogan tha se ka mundësi që burgimi ta bëjë zonjën Miller të dëshmojë. Seanca shkaktoi protesta para gjykatës nga një numër gazetarësh. Ata kërkonin që gazetarët të mbrohen me ligj nga hetime të tilla.

Nëse nuk vendos të flasë, Miller do të mbahet e ndaluar derisa juria që heton nxjerrjen e emrit të agjentes të përfundojë punën në tetor.

Prokurori Patrick Fitzgerald po përpiqet të gjejë se cili zyrtar i administratës e ka xjerrë emrin e agjentes.

Emri i saj u bë publik në një koment shkruar nga gazetari Robert Novak, disa ditë pasi burri i saj ish-Ambasadori Joseph Wilson hodhi poshtë disa argumenta të Presidentit Bush për ndërhyrjen në Irak.

Gazetari Novak që citonte në shkrimin e tij dy zyrtarë të paidentifikuar të administratës së Presidentit Bush, nuk ka pranuar të thotë nëse ka dëshmuar para jurisë, ose nëse i është kërkuar të dalë në gjyq.

Shkrimi i gazetarit Cooper ku përmendej emri i agjentes Plame, doli pas atij të gazetarit Novak. Miller i kishte dhënë disa njoftime gazetës së saj, por nuk ka shkruar ndonjë artikull. Kryeredaktori i New York Timesit Bill Keller, komentoi pas vendimit.

“Gjithkush që beson se aktiviteti i qeverisë dhe institucioneve të tjera të fuqishme duhet të ndiqet me kujdes, duhet të ndjehet sot shumë i frikësuar”.

Para seancës Miller tha se ishte e domosdoshme që gazetarët të mbajnë premtimin për të mos nxjerrë burimet, kur ata mund të japin informacione të rëndësishme vetëm në kushtet e anonimatit. Matthew Cooper shprehu keqardhjen pas gjyqit.

“Është për të ardhur keq kur dy gazetarë që thjesht po bënin punën e tyre, të ruanin burimet dhe të njoftonin për ngjarje të rëndësishme, tani rrezikojnë të shkojnë në gjyq”.

Nxjerrja e identitetit të një oficeri të zbulimit mund të përbëjë vepër kriminale nëse prokurorët provojnë se ky veprim është i qëllimshëm.

XS
SM
MD
LG