Lidhje

Presidenti i Egjiptit konfirmon vdekjen e diplomatit që ishte rrëmbyer nga kryengritësit në Irak


Presidenti i Egjiptit, Hosni Mubarak, konfirmoi vdekjen e ambasadorit egjiptian në Irak, disa orë pasi kryengritës të lidhur me al-Qaidën morrën përgjegjësinë se kishin ekzekutuar diplomatin e rrëmbyer.

Në deklaratën e zotit Mubarak, të transmetuar nga agjencia shtetërore e lajmeve të Egjiptit thuhet se vrasësit e ambasadorit Ihab al-Sherif janë terroristë. Në deklaratë thuhet se kjo vrasje nuk do ta dekurajojë Kajron në mbështetjen e saj të fuqishme për Irakun dhe popullin e tij.

Deklarata e sotme nuk thotë në se autoritetet egjiptiane kishin konfirmime të pavarura për vrasjen e ambasadorit. Disa orë më parë, kryengritësit publikuan një mesazh në Internet, ku thonë se e kishin vrarë zotin al-Sherif, i cili u rrëmbye të shtunën në Bagdad.

Dje kryengritësit thanë se e kishin dënuar diplomatin me vdekje për shkak se qeveria e tij mbështet Shtetet e Bashkuara dhe qeverinë e Irakut.

Ndërkaq, autoritetet irakiane thanë se të paktën 13 vetë u vranë në dy shpërthime autobombash në jug të Bagdadit. Tre irakianë të tjerë u vranë nga zjarri i mortajave në Mosul.

XS
SM
MD
LG