Lidhje

Londra tronditet nga shpërthimet në transportin publik


Autoritetet e Londrës thonë tani se 37 persona janë vrarë dhe 700 të tjerë janë plagosur nga sulmet në sistemin e transportit publik dhe ai në një autobuz dykatësh.

Kryeministri britanik Tony Blair tha se terroristët prapa këtyre sulmeve kanë vepruar në atë që ai e quajti “emër të Islamit”.

Zoti Blair i cili foli kur u kthye në Londër nga takimi i nivelit të lartë të Grupit të Tetëshes në Skoci tha se shumica e myslimanëve në mbarë botën i dënojnë akte të tilla.

Ai premtoi të sjellë përgjegjësit para drejtësisë dhe tha se Britania nuk do të frikësohet. Ai e quajti ditën e sotme një ditë shumë të trishtuar për popullin britanik.

Shpërthimet ndodhën në orën më të ngarkuar me lëvizje. Policia thotë se nuk kishte marrë ndonjë paralajmërim për sulmet.

Një grup i padëgjuar më parë i vetëquajtur Organizata e Fshehtë e al-Kaidës në Evropë nxorri një deklaratë në një faqe arabe interneti, ku merrte përsipër përgjegjësinë për sulmet. Por ky pretendim nuk është konfirmuar.

Reagimi amerikan

Presidenti Bush i dënoi me forcë sulmet terroriste në Londër duke thënë se ai dhe udhëheqës të tjerë botërorë nuk do të përkulen para terroristëve.

Presidenti i shprehu ngushëllimet e tij kryeministrit Tony Blair dhe popullit të Londrës, në fjalën që mbajti para gazetarëve në Skoci, jashtë ndërtesës ku po mbahet takimi i nivelit të lartë të tetëshes.

Presidenti shtoi se ka qënë në kontakt me Departamentin amerikan të Sigurimit Kombëtar për të marrë masa shtesë në Amerikë.

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thanë se presidenti do të kthehet në Shtetet e Bashkuara nesër, ashtu siç është parashikuar.

Ndërkaq, Departamenti i Sigurimit Kombëtar njoftoi se e ka ngritur nivelin e paralajmërit në linjat e autobuzëve, të metrosë dhe trenave në nivel të lartë.

Sekretari i Sigurimit Kombëtar, Michael Chertoff tha se ndryshimi nuk përfshin linjat ajrore. Ai tha se niveli i paralajmërimit në përgjithësi është ngritur.

Reagimi evropian

Zyrtarët në Gjermani, Francë dhe Itali kanë ngritur nivelin e paralajmërimeve për sistemet e transportit pas shpërthimeve të sotme në Londër. Qeveria franceze rriti nivelin e paralajmërimeve në shkallën e dytë më të lartë. Zyrtarët italianë të sigurimit rritën paralajmërimet në maksimun në aeroporte. Sigurimi është shtuar gjithashtu në Berlin dhe në mbarë sistemin hekurudhor të Gjermanisë.

Presidenti francez Zhak Shirak, që ndodhet në Skoci tha se Britania ka solidaritetin e mbarë francezëve. Kancelari gjerman Gerhard Schroeder i dënoi sulmet dhe theksoi rëndësinë e luftës kundër terrorizmit me të gjithë forcën e mundur. Presidenti rus Vladimir Putin tha se të gjitha vendet e civilizuara duhet të bashkohen në luftën kundër terrorizmit.

Sekretari i përgjithshëm i Natos i dënoi sulmet duke i cilësuar ato si krime të neveritshme dhe bëri thirrje për bashkim. Në Vatikan, Papa Benedikt i quajti shpërthimet akte barbare kundër njerëzimit dhe tha se po falet për viktimat e sulmeve.

Mbretëresha Elizabeth e Britanisë tha se është tepër e tronditur nga sulmet dhe i dërgon ngushëllimet e saj viktimave dhe të afërmëve të tyre.

Kryebashkiaku i Londrës Ken Livingstone i quajti sulmet vrasje masive që kishin në shënjestër popullin e thjeshtë të Londrës. Zoti Livingstone foli me gazetarët në Singapor ku ishte për të mbështetur ofertën e Londrës për në Lojrat Olimpike të Verës 2012.

Reagimi i OKB-së

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miratoi një rezolutë që dënonte shpërthimet e Londrës.

Rezoluta u miratua njëzëri gjatë një sesioni të ngutshëm të Këshillit prej 15 vendesh anëtare, ku Britania ka një vend të përhershëm.

Në rezolutë shpreheshin ngushëllime për popullin britanik dhe për viktimat e katër shpërthimeve në Londër. Aty thuhej se çdo akt terrorizmi kërcënon paqen dhe sigurinë.

Rezoluta të ngjashme u miratuan nga Këshilli i Sigurimit edhe pas shpërthimeve në trenat e Madridit në vitin 2004 si dhe pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Kofi Annan, i cili ndodhet në Skoci, po ashtu i dënoi me forcë sulmet e Londrës.

XS
SM
MD
LG