Lidhje

Partia Socialiste nuk tërhiqet pa u shpallur rezultati zyrtar nga KQZ-ja


Zëri i Amerikës: Zoti Ruçi, pas një heshtje disa ditore të Partisë Socialiste, ju po dilni sot përsëri në publik, madje edhe optimistë, ndërsa pritej që socialistët të shpallnin prnaimin e humbjes. Çfarë ka ndryshuar? Cilat janë llogaritë që keni bërë ju?

Gramoz Ruçi: Është një pyetje e drejtë por duhet të kemi parasysh një gjë, që deri tani është shprehur vetëm një nivel komisioni, pra komisioni i zonës elektorale. Ende Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk është shprehur dhe organet kushtetuese të tjera nuk janë shprehur për asnjë zonë. Ne çdo ditë kemi informuar publikun dhe jemi në pritje të rezultateve që do të japë dhe do të certifikojë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve si institucioni kushtetues dhe fundor i infrastrukturës së zgjedhjeve në Republikën e Shqipërisë dhe mandej për kumtesat që do të ketë gjykata përkatëse e cila shprehet për ankesat që ka. Ne përsëri jemi të duruar të presim dhe mirëpresim rezultatet dhe certifikimin e të gjithë zonave elektorale. Arësyeja e dytë është se edhe këto komisione zonale nuk janë shprehur për të 100 zonat. Do të thoja se në se janë shprehur për 53 mandate të PD-së, niveli i parë i Komisionit, në se janë shprehur për 40 mandate të PS, në se janë shprehur për një mandat të LSI-së dhe për një mandat të pavarur, pra që bëjnë 95 mandate, ende për 4 zona nuk ka përfunduar procesi i numërimit, që probabiliteti i deritanishëm është që të fitojnë kandidatët e PS-së. Ashtu sikundër një zonë tjetër në Shkodër, që nuk do ta përcaktojë në këtë raund fituesin, pasi nuk janë zhvilluar zgjedhjet në 2 komuna, ose për rreth 5 mijë votues, në një kohë që diferenca mes kandidatëve, deri në këtë moment është vetëm 500 vota. Detyrimisht këtu do të bëhen zgjedhje në të 19 fshatrat e kësaj zone.

Zëri i Amerikës: Zoti Ruçi në se i marrim të mirëqëna këto që sapo thatë ju, pra që PS ka 40 ose 41 zona, që do të merrni edhe 4 të tjera, megjithëse kjo është shpresa maksimale, po ashtu shpresoni të përfitoni edhe nga kandidati Spiro Peçi i Himarës dhe nga Ilir Meta i LSI, që të arrini numrin 47. Pra, vërtetë mendoni se mund të merni 24 në proporcional për të formuar qeverinë? A nuk është ky optimizëm disi i tepruar, pasi ju shpresoni të fitoni gjithshka është në dyshim deri tani?

Gramoz Ruçi: Jo nuk jemi thjesht ne që dëshirojmë. Të dyja forcat politike dëshirojnë t’i marrin këto. Por këtë zona tradicionalisht janë tona dhe deri tani në numrin e kutive që janë numëruar kandidatët tanë janë fitues, kështu që s’ka arësye se përse të mos mendojmë, apo të mos pretendojmë që t’i fitojmë këto 4 zona.

Zëri i Amerikës: Megjithatë argumenti që këto zona janë tuajat, tashmë nuk është aq i fortë sa më parë, pasi ka qëlluar edhe në zona të tjera, që kanë qënë plotësisht të socialistëve, si në Durrës tani janë kthyer përfundimisht?

Gramoz Ruçi: Më lejoni të vazhdoj argumentin. Së pari janë këto 4 zona që mund të ndodhë edhe kështu siç thoni ju, që mund t’i marrë edhe kundërshtari, por ne pretendojmë që t’i marrim ne nga rezultati që kanë deri tani qendrat e votimit të numëruara. Pas përfundimit të numërimit do të vejë mandati tek ajo forca politike, që do të jetë edhe fituesi. Së dyti është një zonë që ne pretendojmë në Shkodër, që do të fitohet pas dy jave, kur të zhvillohen zgjedhjet sipas ligjit. Së treti, deri tani, me rezultatet e deritanishme të shprehura nga Komisioni Qendor i Zgjedhjeve, spektri i majtë ka 48 përqind të votave në proporcional, kurse spektri i djathtë ka 40, 8 përqind. Kështu që i bie deri tani 23 me 17, pra spektri i majtë të marrë 23, ndërsa i djathti 17 mandate. Pra ekziston probabiliteti, që rezultati mund të shkojë dhe 70 me 70, ose mund të qeverisë ajo parti që do të sigurojë aleatë nga koalicionet kundërshtare, ose mund të qeverisë PD-ja me aleatët e saj, ashtu sikurse mund të qeverisë edhe PS-ja me aleatët e saj. Megjithatë, institucionet kushtetuese në Shqipëri ende nuk janë shprehur, siç është Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, një numër i caktuar ankesash ne kemi nga ana jonë, edhe kundërshtarët tanë kanë, të cilët duhet t’i trajtojmë në rrugë institucionale në përputhje me ligjin dhe me kodin zgjedhor. Pra ne do t’i qëndorjmë deri në fund këtij principi dhe nuk do të ngutemi të pranojmë një rezultat që nuk del nga institucionet që e zotërojnë këtë të drejtë.

Zëri i Amerikës: Zoti Ruçi, ndërsa jemi në pritje të këtyre llogaritjeve matematikore, le të ndalemi tek një çështje tjetër. Para votimit Partia Socialiste ishte e sigurtë për një fitore, madje të thellë; një ditë pas votimit, ju pretenduat për 71 mandate, vetëm në mazhoritar. Ndërsa sot shifrat janë tepër të ulta, madje sot po del për herë të parë shpresa, se ju ndoshta mund të barazoni, ose edhe të fitoni. Si e lexoni ju këtë vendim të popullit, për të votuar në formë të tillë?

Gramoz Ruçi: Kur vjen puna për të arritur në përfundimin se ky është vendimi i popullit, duhet pranuar pak me rezerva, pasi problemet e legjislacionit shqiptar janë probleme që s’mund të arrijnë në këtë përfundim. Se ndryshe unë do të arrija në përfundimin se populli ka votuar majtas dhe do të qeveriset nga e djathta. Në qoftë se do të mbledhim votat e popullit janë 48 përqind të spektrit të majtë deri tani. Pra unë nuk mund të kundërshtoj, se ky është ligji. Ashtu sikurse ne ende s’kemi filluar të bëjmë analiza, por disa konkluzione për shembull mund t’i nxjerrim që tani. Kuptohet ajo që ndodhi për shembull në gjirin e Partisë Socialiste, faktori LSI, që në mazhoritar dëmtoi jashtëzakonisht. Në qoftë se nuk do të ekzistonte ky faktor, 18 zona me rezultatin PS + LSI, ishin automatikisht të PS. Ashtu sikurse PS-ja, nuk bëri atë që bëri Partia Demokratike me aleatët e vet, e cila nuk lejoi që aleatët të konkuronin në mazhoritar. Unë mund t’u them vetëm një tregues: që në 8 zona, pa faktorin LSI, vetëm si rezultat i konkurentëve të PSD-së, të PAD-së, të PDS-së, të Partisë Agrare dhe të Partisë së të Drejtave të Njeriut, kandidatët tanë kanë humbur nga 0, 8 përqind deri në 2 përqind, kur ata kanë marrë 15, 16 18 përqind e kështu me radhë. Pra në planin e taktiva elektorale sigurisht që fushën e kishin më të hapur kandidatët e PD-së, pasi nuk kishin përballë asnjë kandidat të spektrit të tyre të djathtë.

XS
SM
MD
LG