Lidhje

Qindra ankesa arrijnë në KQZ përpara rezultateve të zgjedhjeve


Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve janë dyndur mbi 230 ankesa të partive politike për parregullsi në numërime apo votime të 3 korrikut. Por aty ende nuk kanë ardhur dokumentat nga të 100 zonat zgjedhore, ndonëse po mbushet një javë nga dita e zgjedhjeve.

Deri sot, në mesditën e së premtes, mezi kanë ardhur dokumentat e 91 zonave dhe mbi komisionerët nuk po bën efekt asnjë thirrje për të vepruar shpejt. Sipas zëdhënësit të KQZ, Erton Sinani, vetëm sot mbaroi më në fund që nga e diela e kaluar numërimi i disa mijëra fletë votimi në një zonë zgjedhore të jugut, ndërsa ende nuk kanë mbërritur rezultatet nga 9 zona zgjedhore.

Njëkohësisht KQZ shkarkoi 7 komisionerët e zonës zgjedhore nr.2 në veriperëndim dhe kërkoi për ta ndjekje penale për pengim të qëllimshëm të zgjedhjeve. Zoti Sinani thotë se vonesat kanë ardhur nga presionet e partive politike mbi komisionerët. Sipas tij, PD ka fituar 54 zona, PS 36 dhe 1 fitues është i pavarur.

Ndërsa ankesat e partive janë kryesisht për kundërshtim të tabelave të plotësuara nga komisionet zonale. Në jo pak raste komisionet zonale e kanë sjellë në Tiranë dokumentacionin së bashku me 1 apo 2 kuti të pahapura si për t’ja shkarkuar përgjegjësinë KQZ për fatin e atij rezultati në kuti. Ndërkaq konferencat e forcave të majta u janë kushtuar vetëm përllogaritjeve matematikore mbi votat proporcionale.

Sipas Partisë Socialiste, opozita nuk i ka arritur shifrat e mjaftueshme për të krijuar qeverinë dhe nga ana tjetër votat e proporcionalit favorizojnë të majtën. Sekretari i përgjithshëm i PS, Gramoz Ruci, tha sot se PD ka fituar 53 zona, PS 43. Por PS mund të marrë nga proporcionali 6 mandate më shumë se opozita, ndërkohë që ka kundërshtuar rezultatet në 30 zona, diku për rinumërime, e diku për pavlefshmëri dhe përsëritje zgjedhjesh. Sipas zotit Ruci të gjitha variantet janë të mundshme. Edhe një barazim 70 me 70 zona, edhe një shumicë e të majtëve me aleatët apo edhe një shumicë e të djathtëve me aleatët. Zoti Ruci nuk pranoi të komentojë mbi deklaratat e sotme të Partisë Social-demokrate, aleatja kryesore e PS. Kryetari i saj, Skënder Gjinushi tha sot se e majta nuk mori rezultatet që dëshironte në këto votime, për shkak të përcarjes së drejtuesve të PS dhe luftës për pushtet brenda tyre.

Sipas tij, e majta duhet të pastrohet nga politikat e vjetra dhe të bashkohet për beteja të tjera zgjedhore, për Presidentin në 2006, apo për zgjedhjet vendore në 2007.

Ndërkaq, kryeministri dhe kryetari i PS, Fatos Nano drejtoi sot një mbledhje qeverie ku u ankua se z. Berisha po bën presion mbi administratën. Në përpjekje për të treguar se qeveria vazhdon punën normalisht dhe e qetë, ai futi për miratim edhe dokumentat për shitjen e Alb Telecom-it, ndërkohë që PD shprehu shqetësimin e saj për zhdukjen e kryetarit të degës së saj në Has, Behar Kastrati, për të fatin ende nuk ka informacion askush.

XS
SM
MD
LG