Lidhje

Nënkryetarja e PD-së Josefina Topalli: mazhorancë e sigurtë për qeverisje të qëndrueshme


Zëri i Amerikës: Zonja Topalli, partia juaj këmbëngul prej disa ditësh se është fituesja e zgjedhjeve, megjithatë, deri më sot, ndonëse kanë kaluar 5 ditë nga zgjedhjet, ende nuk dihet se kë të urosh për fitoren. Sa kohë duhet të kalojë ende?

Jozefina Topalli: Në fakt, ju do të ishit shumë korrekt po të na uronit për fitoren, sepse tashmë edhe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, numrat flasin jo vetëm për një fitore të thjeshtë, por për një fitore që të jep një mazhorancë të formatuar, të thellë, që të jep mundësi për një qeverisje stabël, të gjatë e të mundur, për të realizuar të gjithë reformat që do ta fusnin Shqipërinë në shinat e integrimit. Deri në këtë moment që ne flasim, KQZ-ja ka kaluar 53 mandate të fituara të PD-së, shtuar këtyre edhe 4 të tjera ku është në avantazh Partia Demokratike, që e çon në 57 mazhoritarin. Po ashtu nga 87 zona të verifikuara nga proporcionali, shkon në 20 numri i vendeve të tjera, gjë që i bie që Partia Demokratike, në këto momente që ne flasim, të ketë 77 vende në parlament. Kjo është një mazhorancë e sigurtë, që të jep mundësi për të realizar të gjitha premtimet që zoti Berisha dhe Partia Demokratike u dha shqiptarëve dhe që shqiptarët ia kthyen asaj në formë besimi dhe vote në këtë mazhorancë që ajo ka sot të realizuar.

Zëri i Amerikës: Zonja Topalli, veç aleatëve me të cilët ju hytë në zgjedhje, me cilët parashikoni që të formoni qeverinë e ardhshme?

Jozefina Topalli: Nuk kanë filluar akoma negociatat për ndarjen e përgjegjësive në qeverisjen e ardhshme të drejtuar nga zoti Berisha, por besoj se në ditët e ardhshme menjëherë do të fillojmë me aleatët, me të cilët kemi qënë edhe në fushatën parazgjedhore, por nuk ka sepse të mos mendojmë ndoshta për ta zgjeruar. Në fund të fundit kjo është një fitore e gjithë shqiptarëve, një fitore që tashmë është pranuar edhe nga shumica socialiste. Ka mbetur vetëm një grup shumë i vogël socialistësh, i udhëheqjes së Partisë Socialiste, kryesisht të përbërë nga Islami, Angjeli, Poçi, Toska, Ruka dhe ndonjë tjetër, që ndoshta për ndonjë problem personal të vështirë të tyre, nuk e pranojnë fitoren. Ne mendojmë që qeverisja e ardhshme është një qeverisje që i dedikohet të gjithë shqiptarëve dhe në shërbim të të gjithë shqiptarëve dhe koalicioni mund të jetë edhe më i gjerë.

Zëri i Amerikës: Megjithatë socialistët kanë paraqitur ankesa për shumë zona dhe për to ende nuk është marrë vendimi.

Jozefina Topalli: Ata janë ankuar për të gjitha zonat ku ka fituar Partia Demokratike. Nuk besoj se procesin zgjedhor e ndihmon zvarritja, bllokimi i ndonjë zone, e aq më pak mund të ndryshojë gjë në rezultatin e shkëlqyer të Partisë Demokratike. Ne shqiptarët mezi ç’presim që të fillojë puna për ndryshimin për të cilin është votuar, por edhe komuniteti ndërkombëtar ka bërë thirrje që të mbyllet sa më shpejt që të jetë e mundur çertifikimi i të gjitha mandateve. KQZ-ja ka mbyllur pjesën më të madhe të tyre dhe kjo na jep mundësi që sot, nesër dhe në ditët e ardhshme, të mendojmë realisht për emrat në karriget konkrete të qeverisë, që do të drejtohet nga zoti Berisha.

XS
SM
MD
LG