Lidhje

Mbi 50 të vrarë dhe 700 të plagosur në sulmet e të enjtes në Londër


Policia britanike është duke mbledhur të dhëna për të gjetur personat përgjegjës për shpërthimet e të enjtes në Londër, ku u vranë më shumë se 50 vetë dhe u plagosën mbi 700 të tjerë.

Numri i përgjithshëm i vrasjeve nuk është saktësuar ende pasi autoritetet ende po punojnë për të gjetur trupat e njerëzve në një vagon të metrosë thellë nën tokë.

Hetuesit thonë se secila nga bombat peshonte ndoshta më pak se 4,5 kilogram dhe ishte e një madhësie që mund të mbahej në një çantë shpine.

Mbretëresha Elizabeth vizitoi disa nga viktimat dje. Miqtë dhe të afërmit e njerëzve që ende figurojnë të humbur vizituan gjithashtu dje spitalet duke mbajtur në duar fotografi dhe duke kërkuar informacion për ta.

Komisari i policisë së Londrës, Ian Blair, tha se sulmet e të enjtes kishin të gjitha karakeristikat e veprimeve të rrjetit terrorist të al-Qaidës, por ai parashikoi se hetimet për shpërthimet në metronë e Londrës dhe në një autobuz do të jenë të gjata dhe të vështira.

Presidenti Bush shkon në ambasadën britanike

Presidenti Bush nënshkroi librin e ngushëllimeve për viktimat e shpërthimeve terroriste të së enjtes në Londër. Presidenti e nënshkroi librin dje në Ambasadën britanike në Uashington, pas kthimit nga takimi i nivelit të lartë të tetëshes në Skoci.

Para se të largohej nga ambasada, zoti Bush shprehu ngushëllimet e tij për viktimat dhe lavdëroi vendosmërinë e popullit britanik, duke e përshkruat atë "stoik dhe të fortë".

Disa orë më parë, nënpresidenti Dick Cheney u takua privatisht me ambasadorin britanik, David Manning, në misionin diplomatik dhe nënshkoi gjithashtu një libër ngushëllimesh.

Presidenti Bush shprehu ngushëllimet e tij edhe të enjten jashtë takimeve të tetëshes, duke thënë se lufta kundër terrorit vazhdon. Ai u zotua se personat përgjegjës për sulmet në Londër do të nxirren para drejtësisë.

XS
SM
MD
LG