Lidhje

Rihapet debati për privatizimin e Albtelekomit


Privatizimi i Albtelekomit u fut sot edhe një herë tjetër në krye të lajmeve politike, pasi dokumentacioni i tij po plotësohet në valën e zgjedhjeve. Tenderi u krye pak javë para zgjedhjeve, kontrata me fituesin u nënshkrua pak ditë para zgjedhjeve, ndërsa qeveria Nano miratoi shitjen në mbledhjen e djeshme.

Partia Demokratike e opozitës e quajti “akt pa precedent” dhe “aferë korruptive e përmasave të mëdha” miratimin që qeveria e zotit Nano i bëri të premten shitjes së Albtelekomit në një mbledhje të saj. Sekretari i përgjithshëm i PD, Ridvan Bode, tha sot se kryeministri Nano e mori vendimin, edhe pse u bë e ditur publikisht që blerësi i Albtelekomit nuk ishte Turktelekom, por një firmë fantazmë që mban lidhje miqësore direkte me zotin nano.

“Kryeministri Nano në vend të anullimit të tenderit të shitjes së Albtelekomit, në mbledhjen e djeshme pasi ka ratifikuar procedurën e shitjes, ka udhëtuar drejt Turqisë për t’u interesuar tashmë jo për fatin e Albtelekomit, por të valixhes së tij korruptive. Ky përbën aktin e fundit të turpshëm të qeverisë Nano, akt i padëgjuar ndonjëherë. Qeveria demokratike në formim do të kërkojë hetimin e plotë të kësaj dosjeje të zezë dhe vënien para përpgjegjësisë ligjore të fajtorëve” - deklaroi zoti Bode.

Ai tha se as pozita e re dhe as opozita e ardhshme nuk duhet ta miratojnë këtë shitje të pasurive të vendit, në një tender me vetëm një konkurrent, e aq më pak me një konkurrent të panjohur. Ai shtoi se vonesat në shpalljen e rezultateve zgjedhore sjellin të tilla pasoja për vendin.

“Ne jemi të shqetësuar për zgjatjen pa fund të procesit zgjedhor dhe për bllokimin me qëllim nga zoti Nano në këmbim të të tilla veprimeve si Albtelekomi, që janë duke u kryer nga qeveria shqiptare dhe prandaj kemi kërkuar shpejtimin e procedurave. Sidoqoftë, ne do të respektojmë të gjitha afatet që jep ligji për ankimet, dhe të drejtën për t’u shqyrtuar nga organet e ngarkuara për administrimin e procesit zgjedhor.”

Në Partinë Socialiste miratimin e kontratës së shitjes së Albtelekomit nga qeveria e vlerësojnë si një procedurë formale që do ta përcjellë këtë privatizim për t’u shqyrtuar nga parlamenti i ri. Sekretari i përgjithshëm i PS, Gramoz Ruçi, thotë se deklarata e PD është rezultat i atmosferës paszgjedhore dhe politizimi i cështjes së Albtelekomit është i panevojshëm.

“Privatizimi i Albtelekomit - thotë zoti Ruçi - ka një histori dyvjecare dhe procedurat ishin transparente, gjë që është vlerësuar pozitivisht edhe nga Banka Botëerore dhe FMN. Gjatë gjithë kohës Albtelekomi ka dalë disa herë në tenderime. Janë tërhequr konkurrentët etj… Mendoj se realizimi i tenderit të hapur ndërkombëtar për Albtelekomin ishte një arritje e reformave në fushën e privatizimit të sektorëve strategjikë të qeverisë shqiptare.” - thotë zoti Ruçi.

Përsa u takon zgjedhjeve, ai tha se ende nuk mund të flitet për një maxhorancë të PD, ndërsa të gjitha palët duhet të presin rezultatet e KQZ. Sipas tij, rezultati i deritanishëm është 53 zona i ka fituar PD, 41 PS, në zonën nr. 2 do të ketë përsëri zgjedhje në 17 korrik, dhe proporcionaloi flet për të majtët.

“Po i ndjekim me vëmendje shifrat e proporcionalit, dhe deri tani nga procerverbalet e 95 zonave, e majta ka 49,5% në proporcional, me një diferencë të madhe me të djathtët. Kështu, e majta merr 23 mandate nga vendet proporcionale, ndërsa të djathtët 17 mandate. Të dhënat e sotme nuk ndryshuan asgjë në këtë situatë” - tha zoti Ruçi.

Forcat kryesore fajësojnë për militantizëm të tepruar komisionerët e njëra-tjetrës, duke shkaktuar vonesa të mëdha në numërimin e votave. Ndërsa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve deri tani ka deklaruar tabelat e rezultateve të 95 zonave: 55 fitore për PD, 38 fitore për PS, 1 për LSI dhe 1 fitues është i pavarur.

XS
SM
MD
LG