Lidhje

E ardhmja e energjisë bërthamore në Shtetet e Bashkuara


Kanë kaluar 32 vjet që kur një kompani për prodhimin e energjisë elektrike ndërtoi një central bërthamor në Shtetet e Bashkuara. Me rritjen e nevojave për energji dhe ndërkohë që shtohen shqetësimet për ngrohjen e planetit, pritet që Shtetet e Bashkuara të shtojnë në të ardhmen numrin e centraleve të tyre bërthamore. Siç shpjegojnë ekspertët, kjo industri ka rritur edhe kriteret e sigurimit teknik duke iu përgjigjur edhe shqetësimeve të publikut për aksidente të mundshme:

"Në shekullin e 21-të, Shtetet e Bashkuara do të kenë nevojë për më shumë energji, më të sigurt, më të pastër dhe më të qëndrueshme. Ka ardhur koha që vendi të rifillojë ndërtimin e centraleve bërthamore," tha presidenti Bush, i cili ka dalë në mbështetje të idesë së shtimit të numrit të centraleve bërthamore.

Kohët e fundit Senati amerikan miratoi një ligj për energjinë ku përfshihen ulje taksash, kredi të garantuara dhe ndihma në shumën 1 presje 2 miliard dollarë për të nxitur ndërtimin e centraleve të para bërthamore në më shumë se një çerek shekulli. Ka kaluar shumë kohë që nga periudha e lulëzimit të centraleve për energji bërthamore në Shtetet e Bashkuara në vitet ’60 dhe ’70. Sot këto centrale janë burimi numër dy i energjisë në Amerikë, duke siguruar 20 për qind të nevojave. Por në vitet ’80 ndërtimi i centraleve bërthamore ndaloi. Dr. Nils Diaz, kryetar i Komisionit Rregullator të Energjisë Bërthamore në Shtetet e Bashkuara thotë se kjo industri ndeshej me kundërshtim të fortë, të cilit iu shtuan aksidentet në Pensilvani dhe Cernobill.

"Në vitin 1979 ndodhi aksidenti në Ishullin Three Mile dhe më pas aksidenti i Cernobillit. Këto faktorë e ngadalësuan dhe më pas e ndaluan rritjen e objekteve për prodhimin e energjisë bërthamore. Megjithatë, për shumë vite me radhë centralet bërthamore në Shtetet e Bashkuara ruajtën kapacitetin e prodhimit dhe në disa raste edhe e rritën atë. Afro një e treta e tyre kanë marrë liçenca të reja 20-vjeçare," thotë Dr. Diaz.

Ndryshe nga qymyrguri, centralet me energji bërthamore nuk lëshojnë gaze që krijojnë efektin serrë. Megjithëse Shtetet e Bashkuara nuk kanë ratifikuar Traktatin e Kiotos për të ngadalësuar ngrohjen globale, presidenti Bush ka theksuar rolin e centraleve bërthamore kundër ndryshimit të klimës: "Pa këto centrale bërthamore, Amerika do të çlironte afro 700 milion tonë më shumë dioksid karboni në atmosferë çdo vit. Kjo është thuajse e njëjta sasi dioksidi karboni që çlirohet aktualisht nga të gjitha automjetet tona," thotë presidenti Bush.

Veprimtarët e mjedisit shprehin shqetësim për rrezikun që shoqërohet me mbetjet bërthamore dhe me funksionimin e këtyre centraleve. Aktualisht mbetjet bërthamore depozitohen në 126 objekte në mbarë vendin, në kontenierë dhe gropa të projektuara për magazinim të përkohshëm. Aktualisht Departamenti i Energjitikës ka në plan të krijojë një objekt nën malin Yucca në Nevada, ku të vendosë në tunele mbetjet bërthamore. Deri tani leja e ndërtimit të këtij objekti magazinimi nuk është siguruar ende: "Ne e kemi për detyrë të shqyrtojmë çdo shqetësim lidhur me sigurinë teknike të kësaj magazine gjeologjike dhe të sigurohemi se publiku nuk rrezikohet, duke pasur parasysh standartet e vendosura nga Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit," thotë Dt. Diaz i Komisionit Rregullator të Energjisë Bërthamore në Shtetet e Bashkuara.

Sigurimi teknik gjatë funksionimit të objekteve bërthamore është një tjetër shqetësim serioz për shumë veta si rrjedhojë e rrezikut që shoqërohet me rrjedhjen e lëndëve radioaktive në ajër apo ujë. Por industria e energjisë bërthamore dhe zyrtarët qeveritarë thonë se teknologjia është zhvilluar për t’iu përgjigjur këtij shqetësimi. Skot Peterson është nënpresident i Institutit të Energjisë Bërthamore, një shoqatë që mbështet tregëtinë e materialeve bërthamore: "Njerëzit shqetësohen për rrezikun e objekteve bërthamore pasi kujtojnë incidentin në Ishullin Three Mile. Por kjo ndodhi në vitin 1979. Ka kaluar çerek shekulli që nga ajo kohë dhe ne kemi nxjerrë mësime nga ky incident: kemi rritur kualifikimin e punonjësve dhe shkëmbejmë eksperiencë me prodhues të tjerë të energjisë bërthamore. Dhe gjatë 25 viteve të fundit kemi pasur arritje shumë të mira në aspektin e sigurimit teknik të kësaj industri," thotë inxhinieri Peterson.

Me përmirësimin e projekteve të ndërtimit të centraleve dhe forcimin e masave të sigurimit teknik, Dr. Diaz i Komisionit Rregullator për Energjinë Bërthamore parashikon që në fund të kësaj dekade mund të fillojnë të ndërtohen 8 objekte të tjera bërthamore, shumë prej të cilave pritet të futen në funksionim brenda vitit 2015.

XS
SM
MD
LG