Lidhje

Udhëheqësit fetarë britanikë shprehin solidaritet pas sulmeve terroriste


Udhëheqës fetarë britanikë shprehën solidaret ndër-fetar ndërkohë që vendi po përpiqet ta marrë veten pas sulmeve terroriste të së enjtes në Londër. Udhëheqës myslimanë, të krishterë dhe hebrenj u takuan të dielën në një demonstrim uniteti. Sheiku Zaki Badawi lexoi një deklaratë të përbashkët ku udhëheqësit shprehnin angazhimin për t’i bërë qëndresë terrorizmit dhe për ta kapërcyer atë.

Më parë, në një shërbesë fetare, në të cilën mori pjesë edhe Mbretëresha Elizabetë dhe kryeministri Bler, kryepeshkopi Rouën Uilliams dënoi atë që e cilësoi si shpirti i vrasjes dhe turpërimit. Sekretari i Brendshëm Çarls Klark tha se parashikon që numri i të vrarëve të kalojë 50 vetat dhe paralajmëroi se ka të ngjarë të ketë sulme të tjera për sa kohë që autorët e sulmeve të së enjtes nuk janë kapur.

Zyrtarët nuk kanë identifikuar ndonjë të dyshuar, megjithëse ekstremistët islamikë morën përgjegjësinë për sulmet. Ndërkaq, Birmingami po i rikthehet normalitetit pasi 20 mijë vetë u evakuuan mbrëmë nga qendra e qytetit. Zyrtarët thanë se morën masa bazuar në kërcënime specifike dhe të besueshme.

Ndërkaq, policia britianike arrestoi tre persona në Aeroportin Heathrow në bazë të aktit kundër terrorizmit, por zyrtarët nuk i lidhin këto arrestime me shpërthimet në Londër. Në një konferencë shtypi, një zyrtar i lartë i policisë tha sot se është fjala për arrestime të zakonshme dhe se nuk do të ishte me vend që ato të lidheshin drejtpërdrejt me shpërthimet. Zyrtari nuk dha informacione të tjera, por tha se policia ka marrë deri tani 1 mijë e 700 thirrje në linjën telefonike anti-terror.

Zyrtarët u kanë kërkuar njerëzve të dërgojnë pamje të marra përmes telefonave celularë dhe pamje të tjera që mund të kenë lidhje me shpërthimet, si dhe informacione që mund të ndihmojnë në indentifikimin e autorëve.

Tre grupe islamike kanë marrë përgjegjësi për sulmet, por zyrtarët nuk kanë bërë të njohur ende të njohur ndonjë të dyshuar. Ndërkohë, ekipet e hetuesve dhe ato të shpëtimit vazhduan sot punën në një tunel të errët metroje pranë Sheshit Russell. Numri zyrtar i viktimave ka mbetur në 49, por pritet të rritet ndërkohë që punonjësit vazhdojnë kërkimet në rrënoja.

XS
SM
MD
LG