Lidhje

Të paktën njëri nga sulmuesit ka vdekur gjatë shpërthimeve të Londrës


Autoritetet britanike thonë se kanë prova se të paktën njëri prej autorëve të sulmeve të 7 korrikut në Londër vdiq gjatë shpërthimit.

Një zyrtar i lartë britanik për anti-terrorizmin tha se autoritetet po përpiqen të zbulojnë nëse të katër autorët e sulmeve kanë vdekur. Ai tha se pamjet e filmuara nga kamera me qark të mbyllur tregojnë se të katër personat mbërritën në stacionin e metrosë King’s Cross rreth 20 minuta para shpërthimeve që shkatërruan tre trena. Ai tha se hetimi ende është në etapat e para.

Zyrtari njoftoi gjithashtu se është arrestuar edhe një person i dyshuar pas bastisjeve policore të zhvilluara sot në mëngjes në qytetin Lids. Ai tha se provat materiale që u morën gjatë kërkimeve po iu nënshtrohen analizave të kriminalistikës. 52 persona kanë vdekur nga shpërthimet në sistemin e metrosë dhe në një autobus urban, i cili u hodh në erë afro një orë më pas.

Më parë Sekretari i Jashtëm Britanik Xhek Strou i bëri thirje Bashkimit Evropian të vërë pa vonesë në zbatim planet për një bashkëpunim më të ngushtë në luftë kundër terrorizmit. Ai i bëri thirje Parlamentit Evropian në Bruksel të lejojë forcat e rendit të kontrollojnë më me lehtësi dhe më shpejt të dhënat nga telefonat dhe interneti. Por ai theksoi se masa të tilla nuk duhet të shërbejnë për të kufizuar liritë e individit.

XS
SM
MD
LG