Lidhje

Kryetari demokrat Sali Berisha: Qeveria e ardhshme me një bazë sa më të gjerë


Ndërsa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Shqipëri është duke shqyrtuar ankesat, Partia Demokratike, në krye të koalicionit të forcave të djathta, po mendon për formimin e qeverisë së ardhshme. Data e fillimit nga puna të qeverisë së re do të varet nga vendimet e KQZ-së dhe Kolegjit Zgjedhor për ankesat. Platforma elektorale e të djathtëve në këtë fushatë u bazua tek lufta kundër korrupsionit dhe premtimi për ndryshim. Por sa i vështirë do të jetë ky ndryshim për t’u realizuar?

Intervistë e Kryetarit të Partisë Demokratike Sali Berisha me Zërin e Amerikës

Zëri i Amerikës: Zoti Berisha, ndonëse rezultatet zyrtare nuk kanë dalë ende, duket se është vetëm çështje kohe para se ju të merrni mandatin për formimin e qeverisë. A kanë nisur negociatat me aleatët dhe sa i gjerë pritet të jetë koalicioni? A pritet që në të, të përfshihen edhe parti të tjera, që nuk morrën pjesë në aleancë zgjedhore me PD-në?

Sali Berisha: Negociatat zyrtare ende nuk kanë filluar, por unë jam i përcaktuar për një koalicion sa më të gjerë të mundshëm, përfshi këtu edhe forca politike të cilat në fushatë elektorale nuk kanë qënë në koalicionin që unë kam drejtuar së bashku me udhëheqës të tjerë, të partive të tjera politike. Unë i përmbahem këtij kocepti, sepse para së gjithash, mesazhi numër një i ndryshimit, është bashkimi i shqiptarëve në një përpjekje të re. Në këtë kontekst, unë do të dëshiroja një qeverisje me një bazë sa më të gjerë të mundshme.

Zëri i Amerikës: Zoti Berisha, ju sapo thatë se mesazhi që morët nga këto zgjedhje është bashkimi i shqiptarëve. Por siç e tregon rezultati, shqiptarët mbeten thellësisht të polarizuar midis dy kampeve kryesore. Një pjesë, që ju mbështet ju plotësisht dhe një pjesë po aq e madhe, që ju kundërshton me po aq forcë. Vëzhgues të ndryshëm kanë thënë se ky është një shans i dytë, që u jepet ju për të qeverisur. Cili do të jetë qëndrimi juaj ndaj ndaj pjesës që ju kundërshton?

Sali Berisha: Qëndrimi im ndaj pjesës tjetër që ka votuar ndryshe do të jetë një përpjekje e fuqishme, e madhe, për ta shndërruar këtë ndryshim në një mbarësi për të gjithë shqiptarët, pavarësisht nga dallimet e tyre partiake, pavarësisht se për kë patën votuar. Unë kam një program, të cilin edhe njëherë sot zotohem se do ta zbatoj pikë për pikë. Unë jam i bindur se zbatimi i tij ndryshon për mbarë jetën e të gjithë shqiptarëve. Nuk kam asnjë qëllim tjetër, përveçse një bashkim të vërtetë të shqiptarëve në një përpjekje të re, për të cilën ata votuan. Tani më mbetet mua t’u faktoj atyre me programin dhe zbatimin e tij, atë që kam deklaruar.

Zëri i Amerikës: Zoti Berisha analistë të ndryshëm në perëndim kanë shprehur një lloj rezerve për ardhjen tuaj në pushtet. Si keni menduar ta kapërceni këtë problem, që lidhet me imazhin tuaj? Sali Berisha: Ka opinione të ndryshme. Ka që e kanë pritur me kënaqësi të jashtëzakonshme dhe kam marrë urime të shumta. Ka të tjerë natyrisht, që e kanë pritur dhe me ndrojtje, siç thoni ju. Unë mendoj se përgjigja më e shkëlqyer është angazhimi për rivendosjen e shtetit ligjor në Shqipëri, për shembjen e sistemit të korrupsionit, tashmë të deklaruar nga komuniteti ndërkombëtar dhe mbi të gjitha garantimi dhe zgjerimi i lirive dhe të drejtave të qytetarëve shqiptarë, për çka unë mbetem fund e krye i përkushtuar.

Zëri i Amerikës: Zoti Berisha, Partia Demokratike që në fillim e kritikoi planin e qeverisë së tanishme për privatizimin e Albtelekomit dhe këto ditë ka patur komente të vazhdueshme për bllokimin e shitjes në parlament. Në një kohë që ju përpiqeni të tërhiqni kapital privat, a nuk dërgojnë këto komente mesazhin e gabuar tek investitorët e huaj? A nuk po e paragjykoni ju politikisht shitjen, pa u mbledhur ende parlamenti i ri, që mund ta marrë atë në shqyrtim?

Sali Berisha: Së pari duhet të keni parasysh se është Bashkimi Evropian, Banka Botërore ato që kanë vendosur se në Shqipëri është vendosur sistemi i korrupsionit. Korrupsion ka kudo, por në Shqipëri ka sistem korrupsioni. Në këtë kontekst, ky sistem duhet të marrë një përgjigje nga qeverisja e ardhshme. Përsa i përket problemit konkret të telekomit, mund të shtroj vetëm dy çështje. Së pari nuk gjindet një rast në histori ku një qeveri në kulmin e fushatës elektorale privatizon asetin kryesor të vendit dhe firmos, pas zgjedhjeve, me një kabinet tërësisht të humbur në fushatën elektorale. Së dyti, qeveria proklamoi se Telekomi Shqiptar u privatizua nga Telekomi Turk dhe një kompani e quajtur Çelik Energji. Mirëpo kur Telekomi Turk u privatizua javën e kaluar, doli se kompania Çelik ishte një kompani që kishte vetëm letrat e regjistruara në gjykatë, paraqitej si pronare e Telekomit Shqiptar dhe pronë të vetme kishte Telekomin Shqiptar. Kjo dëshmon qartësisht se kjo është një kompani fallso, është në kundërshtim flagrant me ligjin, pasi ligji kërkon kushte të caktuara për fituesit e tenderit të privatizimit. Ne kemi deklaruar se do ta rishqyrtojmë me seriozitet dhe me ekspertë ndërkombëtarë këtë proces. Nuk mund të ketë asnjë lloj qëllimi tjetër, përveç shndërrimit të Shqipërisë në vendin më tërheqës të investimeve të huaja, por që të gjithë ata kanë një kusht, shanse të barabarta dhe jo klientelizëm politik.

Zëri i Amerikës: Zoti Berisha, le të ndalemi për pak momete tek korrupsioni që ishte një prej temave kryesore të fushatës tuaj dhe madje, analistët kanë thënë se ishte ky elementi kryesor që shkaktoi humbjen e socialistëve për shkak të pakënaqësisë së publikut me qeverisjen e tyre. Ju keni thënë se lufta kundër korrupsionit do të jetë përparësi kryesore dhe përgjegjësi direkte e kryeministrit të ardhshëm. Por a jeni i shqetësuar se lufta kundër korrupsionit mund të krijojë për ju një problem imazhi, duke u perceptuar si një hakmarrje ndaj administratës së tanishme?

Sali Berisha: Së pari kur kam shpallur këtë si objektiv kryesor, kam patur parasysh qeverinë dhe administratën e ardhshme. Jam zotuar që kjo qeveri do të funksionojë mbi bazën e standarteve më transparente, jashtë konfliktit të interesit. Do të amendohen ligjet përkatëse që të krijohet transparencë e plotë për median dhe publikun. Pra luftën kundër korrupsionit kam deklaruar se do ta filloj nga qeveria dhe kabineti. Si kundër jam i bindur se duke vendosur standarde të shëndosha funksionimi për administratën dhe qeverinë, kjo do të jetë një inkurajim edhe për pushtete të tjera, për t’u angazhuar aktivisht në këtë betejë, që ka si synim shfarrosjen e këtij kanceri. Nuk jam për shpalljen e amnestisë fiskale, kam qënë dhe jam kundër saj. Në mënyrë absolute preokupimi im bazë është qeveria që unë do të drejtoj dhe administrata. Lufta kundër korrupsionit nuk do të përdoret për qëllime politike. Por ka edhe një rrethanë tjetër. Mali i akuzave për korrupsion ndaj eksponentëve të caktuar, nuk është më i njëanshëm nga opozita, por akuza janë bërë përditë nga mediat, nga shoqëria civile, me emra konkretë, me afera konkrete. Kështuqë jam shumë i sigurtë, se lufta kundër korrupsionit nuk do të ketë ngjyrim politik, përkundrazi, do të ketë një mirëkuptim të lartë nga publiku shqiptar dhe komuniteti ndërkombëtar, i cili gjatë këtyre viteve, luftën kundër tij e ka konsideruar si kryefjalë të veprimtarisë qeveritare shqiptare, por kjo nuk ka ndodhur.

Zëri i Amerikës: Zoti Berisha në programin tuaj elektoral ju keni bërë premtime të shumta ekonomike. Por sipas analistëve, në se shkurtimet e taksave dhe rritjet e pagave, ose të buxhetit për sektorë të shumtë, që keni parashikuar ju, pra në se këto zbatohen pa u realizuar më parë të ardhurat nga evazioni fiskal, që ju keni premtuar ta eliminoni, Shqipëria do të rrezikonte gjendjen e saj makroekonomike. Pra pyetja është: a do të jetë i kushtëzuar shtimi i buxhetit nga realizimi më parë i të ardhurave?

Sali Berisha: Pyetja është shumë e drejtë. Unë kam deklaruar se do të përgjysmoj taksat e biznesit të vogël dhe për këtë kam informuar institucionet financiare ndërkombëtare (Bretton Wood), me të cilat Shqipëria bashkëpunon, se do të jetë një nga vendimet më të para të qeverisë së ardhshme. Ne kemi pastaj ndryshime të tjera fiskale, të cilat do të bëhen gradualisht, duke konsoliduar disiplinën e vjeljes së taksave. Krahasuar me Maqedoninë, që ka të njejtin nivel taksash, diferenca tek ne është rreth 1 presje 6 miliardë Euro. Ne do të rrisim pa asnjë mëdyshje kapacitetin e vjeljes së taksave dhe gradualisht do t’i ulim ato. Mendoj se politika fiskale do të zbatohet duke ecur paralelisht me konsolidimin e vjeljes së taksave, sikundër jam i bindur se premtimet për mandatin e ardhshëm, të cilat konsistojnë në dyfishimin e pensioneve dhe mospatjen e një pensioni nën minimumin jetik, dyfishimi i pagave të ulta dhe rritja e atyre të mesme, janë plotësisht të përballueshme.

Zëri i Amerikës: Zoti Berisha, ju keni parashikuar shtimin e buxhetit edhe për pushtetin lokal. Në Tiranë, kryetari i Bashkisë Edi Rama, është një prej politikanëve, që ju e keni kritikuar ashpër. Tashmë në postin e ardhshëm të Kryeministrit, si pritet të jenë marrëdhëniet tuaja me Kryetarin e Bashkisë së kryeqytetit?

Sali Berisha: Pavarësisht nga kimizmi im me këtë apo atë individ, unë mbetem i pandryshuar në zotimin tim solemn para shqiptarëve, se në Tiranë dhe në të gjitha qytetet ku qeverisin socialistët, apo demokratët, apo kushdo, granti i qeverisë do të katërfishohet, pasi unë jam shumë i përkushtuasr për decentralizimin. Natyrisht mund të them pa hezitim, se edhe kontrolli mbi përdorimin e këtyre fondeve do të jetë më rigoroz. Unë nuk do të ndikohem nga përkatësia partiake e kandidatit, apo raportet e mia në zbatimin e një parimi fondamental për demokracinë në jetën e vendit. Pra, granti do të katërfishohet dhe do të ushtrohet kontroll për zbatim transparent të fondeve.

XS
SM
MD
LG