Lidhje

Presidenti Bush: Koalicioni ndërkombëtar në Irak është forcuar dukshëm gjatë vitit të kaluar


Koalicioni ndërkombëtar në Irak, tha presidenti Bush, është forcuar dukshëm gjatë vitit të kaluar. Zoti Bushi e bëri këtë koment në një fjalim drejtuar vendit.

”Komuniteti ndërkombëtar ka dhënë një ndihmë shumë të rëndësishme. Rreth 30 vende kanë trupat e tyre në Irak dhe shumë të tjerë po japin kontributin e tyre me ndihma joushtarake. Kombet e Bashkuara janë në Irak për t‘u ndihmuar irakianëve të hartojnë kushtetutën dhe të mbajnë zgjedhjet e tyre të ardhshme. Deri tani disa vende dhe tri organizata ndërkombëtare kanë premtuar rreth 34 miliardë dollarë ndihmë për rindërtimin e Irakut. Më shumë se 80 vende dhe organizata ndërkombëtare u mblodhën para pak kohësh në Bruksel për të bashkërenduar përpjekjet e tyre për t’i ndihmuar irakianëve që të ruajnë vet sigurinë e tyre dhe të rindërtojnë vendin. Muajin e ardhshëm vendet donatore do të takohen në Jordani për të përkrahur përpjekjet për rindertimin e Irakut.”

Aktualisht, mijëra trupa të koalicionit janë të përfshirë në trajnimin dhe furnizimin e forcave irakiane të sigurimit. NATO është duke themeluar një akademi ushtarake afër Bagdatit për të trajnuar brezin e ardhshëm të udhëheqësve ushtarakë të Irakut. Ushtria dhe policia e Irakut po trajnohen nga personel i ardhur nga Italia, Gjermania, Ukraina, Turqia, Polonia, Rumania, Australia, dhe Britania.

Zoti Bush tha se një numër vendesh janë duke punuar drejt një qëllimi të përbashkët: një Irak i cili mund të mbrojë veten, të mposhtë armiqtë dhe të sigurojë lirinë e vet. Presidenti tha se Iraku tani ka më tepër se 160 mijë forca sigurimi të trajnuara dhe të pajisura për një numër misionesh.

”Forcat irakiane kanë luftuar me trimëri , duke ndihmuar në kapjen e terroristëve dhe të kryengritësve në Naxhaf, në Samara, në Falluxha dhe Mosul. Muajin e kaluar forcat irakiane udhëhoqën një fushatë anti-terroriste në Bagdad të quajtur “operacioni vetëtima”, i cili çoi në kapjen e qindra të dyshuarve terroristë. Si çdo popull i lirë në botë, irakianët dëshirojnë të mbrohen nga bashkatdhetarët e tyre dhe ne po u ndihmojmë që irakianët të marrin në dorë këto detyra.”

Pa marrë parasysh dallimet në të kaluarën, tha presidenti Bush duke iu referuar anëtarëve të koalicionit, bota e kupton se suksesi në Irak është kritik për sigurinë e vendeve tona.

XS
SM
MD
LG