Lidhje

Shtohen debatet mbi nxjerrjen e identitetit të një agjenteje sekrete të CIA-s në vitin 2003


Ndërsa presidenti Bush nuk dha asnjë shenjë dje se ekzistonte ndonjë tension mes tij dhe këshilltarit Karl Rove, Uashingtoni u shndërrua në një skenë të denjë për drama politike.

Ish-ambasadori Joseph Wilson, e shoqja e të cilit është agjentja e CIA-s, së cilës iu zbulua identiteti, bëri thirrje për largimin nga detyra të zotit Rove.

“Unë nuk kam kërkuar që zoti Rove të japë dorëheqjen, por që presidenti të mbajë premtimin që ka dhënë se do të shkarkonte cilindo që kishte nxjerrë informacionin”.

Zoti Wilson, që ka qenë ambasador në Afrikë dhe i ngarkuar me punë në Irak, shkaktoi nervozizëm në administratën e Presidentit Bush, para se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre të ndërhynin në Irak, duke e vënë në dyshim hapur pohimin e presidentit Bush se Saddam Husseini ishte përpjekur të blinte uranium në Afrikë.

Senatori demokrat nga New Yorku Charles Schummer thotë se zoti Rove ka shkelur standardet e larta që duhet të kenë zyrtarët e qeverisë.

Zoti Rove, nuk e ka pranuar që t’i ketë dhënë identitetin e zonjës Plame, gazetarit të revistës Time, Matthew Cooper. Nxjerrja me vetëdije dhe qëllim e identitetit të një agjenti të fshehtë të CIA-s, përbën vepër penale në Shtetet e Bashkuara.

“Sekretet tona kombëtare janë shumë të rëndësishme dhe nuk mund t’i besohen gjithkujt, veçanërisht një njeriu që dyshohet se ka keqpërdorur besimin që gëzon”, tha senatori Schumer.

Udhëheqësi i pakicës demokrate në senat, Harry Reid, foli në të njëjtën linjë:

“Kjo është përpjekje për ta mbyllur çështjen, është abuzim me pushtetin”.

Por republikanët janë hedhur menjëherë në mbrojtje të këshilltarit të Presidentit dhe po vënë në dyshim besueshmërinë e ambasadorit Wilson.

“Varianti që ka paraqitur ish-ambasadori ishte i pasaktë, i pambështetur në fakte dhe keqinformues dhe sot ai vazhdon të bëjë të njëjtën gjë”, shton Pat Robert me komisionin e zbulimeve.

“Kjo është një lojë politike dhe qëllimi është që të vihet në pozitë të vështirë Presidenti i Shteteve të Bashkuara”.

Hetimi për nxjerrjen e identitetit të agjentes së CIA-s, ka sjellë si rezultat burgosjen e gazetares Judith Miller të New York Times-it, pasi nuk pranoi të nxirrte burimin.

Gazetari i revistët Time, Matthew Cooper dëshmoi këtë javë para një jurie për të njëjtin rast, pasi burimi i tij e çliroi nga detyrimi për të mos ta nxjerrë identitetin e tij.

XS
SM
MD
LG