Lidhje

Ndryshimet demografike në Shtetet e Bashkuara


Sipas një sondazhi të kryer nga Zyra amerikane për regjistrimin e Popullsisë, numri i banorëve në disa qytete të mëdha të Amerikës po pakësohet dhe kjo shënon një ndryshim thelbësor në prirjet demografike në Shtetet e Bashkuara.

Në vitet 90, në qytetet amerikane popullsia u shtua për shkak të numrit të madh të imigrantëve dhe projekteve të rindërtimit në qendrat e qyteteve që tërhiqnin banorët e rinj me objekte të tilla si dyqane dhe restaurante. Por sipas raportit të ri të Zyrës për Regjistrimin e Popullsisë, 25 qytete të mëdha të cilët gjatë dekadës së kaluar po rriteshin, tani po zvogëlohen. William Frae, është ekspert në fushen e demografisë pranë Institutit Brookings, një grup kërkuesish privatë me qendër këtu në Washington. Ai mendon se kjo dyndje nga qytetet në periferi po shkaktohet nga 3 forca .

Forca kryesore është rënia në këtë dekadë e industrisë së teknologjisë së lartë që në vitet 90-të kishte marrë hov të madh nëpër qytete. “Kjo po ndodh jo vetëm për shkak të pakësimit të numrit të vendeve të punës, por edhe për shkak se këto qytete të vogla periferike janë vende tërheqëse për të jetuar. Pastaj edhe niveli i punësimit ra ndërsa çmimet e shtëpive vazhduan të mbeten të larta. Kështu që njerëzit u detyruan të largohen sepse nuk ishin në gjendje të jetonin më atje. Këtë prirje e kemi parë në qytetet si Bostoni, San Francisco e bile edhe në Minneapolis dhe Saint Paul që dikur ishin qendra me industri të teknologjisë së lartë.”

Shumë njerëz mendojnë se prirjet e imigracionit filluan të ndryshojnë edhe në fillim të viteve 2000 dhe kjo prirje po vazhdon edhe sot. Në të kaluarën, imigrantët shkonin drejtpërdrejt në qytete e pastaj kur forcoheshin financiarisht shpërnguleshin ne periferi ashtu si grupet e tjera amerikane. Kurse tani ne shikojmë që imigrantët e rinj që vijnë në Amerikë, po shkojnë drejtpërdrejt në periferi. Kjo pra mund të jetë pjesë e arsyes së pakësimit të popullsisë në qytete siç është Çikagoja që dikur ishte shumë tërheqës për imigrantët.

Duke iu përgjigjur pyetjes nëse sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001 kanë ndikuar në rënien e popullsisë së qyteteve, Zoti Frei tha: “Shumë njerëz menduuan se ndoshta nuk është më ide e mirë për të jetuar në qytete të mëdha, por për t’u shpërngulur në periferi. Kjo është një prirje që mund të vazhdojë për një kohë të gjatë, por kjo ka qenë sidomos e theksuar gjatë 4 viteve të parë të këtij shekulli.”

Periferitë në Shtetet e Bashkuara janë konsideruar si vendbanime sterile dhe pa jetë kulturore. A po bëhen ato tërheqëse përseri? Zoti Frey thotë se periferia gjithmon ka qenë ëndrra e familjeve amerikane. “Ne amerikanët kurrë nuk kemi patur kulturë qytetare. Ne gjithmonë kemi patur një llojë kulture rurale, natyrore. Kjo sepse njerëzit duan të kenë hapësirën e tyre dhe më shumë kontroll mbi hapësirën e tyre. Sepse në qytet lagjet janë të mbushura me grupe të ndryshme me të ardhura të ndryshme, me kultura dhe raca të ndryshme. Amerikanët ndihen ngushtë në atmosfera të tilla. Prandaj mund të thuhet se për amerikanët periferitë janë më tërheqëse. Unë nuk mendoj se kjo prirje do të ndalet për sa kohë të kemi hapësirë për t’u shtrirë në periferi. Tani për tani kjo hapësirë në Amerikë nuk mungon.”

Por sa ka ndryshuar periferia në Amerikë?

“Në vitit 50, kur dikush fliste për periferitë, kjo të sillte ndërmend njerëz që jetonin në shtëpi të mëdha, të veçanta e me oborre të mëdha, shumica e racës së bardhë. Por tani në periferi jetojnë edhe grupe të tjera të popullatës. Nëse i hedh një shikim demografisë së të gjitha periferive të marra së bashku në Shtetet e Bashkuara, duket sikur e gjithë popullsia amerikane është e njëjtë gjithkund. Periferitë si ato të viteve 50-të janë larg qendrave të qyteteve.”

Disa amerikanë, thotë zoti Frei, punojnë deri në 140 kilometra larg shtëpisë ku banojnë.

XS
SM
MD
LG