Lidhje

PD-ja publikoi programin e 100 ditëve të para të qeverisjes


Forcat kryesore politike në Tiranë ende nuk janë përshtatur me pozicionet e reja, në të cilat i vendosi vullneti i popullit në zgjedhjet e përgjithshme të 3 korrikut.

Kryeministri Fatos Nano dhe ministrat e Partisë Socialiste tashmë në opozitë ende japin intervista nga zyrat shtetërore, zhvillojnë mbledhje qeverie, marrin vendime, emërojnë e shkarkojnë zyrtarë të niveleve të ulta. Nga ana tjetër, drejtuesit e Partisë Demokratike në pushtet ende mblidhen në sallat e konferencave nëpër hotele dhe diskutojnë mbi përmirësimin e qeverisjes në të ardhmen.

Udhëheqësit veteranë të dy partive të mëdha duket se janë edhe burimi i kësaj inercie të ecurisë së punëve, që është ngurtësuar në 8 vjetët e dy mandateve të të majëve. Kryeministri në ikje i PS së opozites, Nano, i shoqëruar nga shpura të fryra militantësh dhe rojesh, po zhvillon disa takime në degët e partisë, duke u kërkuar atyre llogari për humbjen e zgjedhjeve, dhe duke lënë mënjanë deklaratën e tij publike për t’u larguar nga kreu i partise në rast se humbet zgjedhjet.

Nga ana tjeter, kryeministri i paralajmeruar i PD ne pushtet, Sali Berisha, zhvilloi sot një takim me Komitetin e Orientimit të Politikave, ku kërkoi që projekti 100 ditëve të para të qeverisjes të pasurohet me ide të reja. Zoti Berisha tha që përparësia e qeverisjes së re do të jetë lufta kundër korrupsionit dhe kërkoi të respektohen ekspertët e administratës të shkolluar në universitetet bashkëkohore në Perëndim. “100 ditët e ardhshme do të jenë 100 ditët më intensive të jetës sonë. Në këto 100 ditë ne do të hedhim themelet e ndryshimit, ndaj edhe projekti duhet studiuar me vëmendje, dhe duhet pasuruar me ide të reja” - tha ai.

Socialistet mbajnë shpresa të vakta se Kolegji Zgjedhor mund të ngushtojë rezultatet e zgjedhjeve për t’ua lehtësuar sadopak dhimbjen e humbjes. Kandidatja socialiste Makbule Çeço humbi sot ndaj Genci Rulit në Kolegjin Zgjedhor.

Ndërkohë, demokratët shpërndajnë ftesa partive të vogla për t’u përfshirë në qeverinë e re. Analistët e jetës politike mendojnë se të dyja palët po tregojnë një kujdes të tepruar për të ashtuquajturin “tranzicion i qetë i pushtetit” dhe shprehin dyshimet se kjo është periudha më e mirë kur korrupsioni lulëzon dhe fshin dokumentacionin e abuzimeve me pushtetin.

XS
SM
MD
LG