Lidhje

Shqipëri: PD i kërkon presidentit të mbledhë parlamentin e ri


Në Tiranë mungon ende një akt formal për rezultatin e zgjedhjeve të përgjithshme. Partia Demokratike i kërkon Presidentit Moisiu të mbledhë Parlamentin e ri, megjithë kundërshtimet e socialistëve.

Kryetari i Partisë Socialiste dhe kryeministri në ikje, Fatos Nano, i bëri thirrje drejtuesit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, që të mos nxitohet dhe të presë me durim rezultatin zyrtar të zgjedhjeve të përgjithshme. Ai madje i ka quajtur si përpjekje për të ndërtuar struktura shtetërore paralele bisedimet që ka nisur PD me aleatët për përfshirjen e tyre në qeverinë e pritshme të zotit Berisha.

Ndëkaq përfaqësues të PD-së i bënë thirrje Presidentit të Republikës, Alfred Moisiu që të thërrasë parlamentin e ri të dalë nga vullneti i popullit në zgjedhjet e 3 korrikut. Sipas tyre, edhe pse Kushtetuta parashikon një afat 20 ditor pas zgjedhjeve për mbledhjen e parlamentit, zoti Moisiu nuk ka arësye që të ngurrojë për ta hedhur këtë hap më përpara, si edhe ngarkimin e zotit Berisha për të bërë qeverinë e re, sepse njihet botërisht që PD dhe aleatët e saj i fituan zgjedhjet.

Megjithatë zyrtarizimi formal i rezultateve të zgjedhjeve është një akt që mbetet të kryhet. Edhe sot dy javë pas zgjedhjeve të përgjithshme të 3 korrikut, Shqipëria ende nuk ka një rezultat për partitë fituese dhe humbësit e këtyre zgjedhjeve.

Procesi zgjedhor shqiptar po pëson vonesa të tjera të ndjeshme si para zgjedhjeve ashtu edhe pas tyre. Kolegji Zgjedhor vazhdon të gjykojë një duzinë ankesash të kandidatëve për deputetë, dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nëpër duar edhe disa dhjetëra nga mbi 300 ankesa të partive dhe kandidatëve të tyre. Edhe pse këtë vit zgjedhjet u mbajtën me një raund, pikërisht për të shmangur vonesat dhe për të patur një përfundim sa më të shpejtë dhe sa më të qartë të procesit, situata dhe dokumentacioni mbi zgjedhjet po zvarriten nga njëra e djelë në tjetrën, njëlloj sikur të ishin zgjedhjet e kaluara, që u tejzgjatën nëpër balotazhe, raunde të treta e madje edhe raunde të katërta.

Krahas pengimit të punës në institucionet vendase, vonesat në mbylljen e procesit zgjedhor po shkaktojnë edhe shtyrjen e raportit të vëzhguesve ndërkombëtarë dhe reagimet e institucioneve perëndimore, të cilëe u duhet të monitorojnë edhe vakuumin dyjavor pas 3 korrikut, për të dhënë vlerësimet mbi këtë zhvillim të demokracisë shqiptare.

XS
SM
MD
LG