Lidhje

Kosovë: Arrestohet një veprimtar i Lëvizjes Vetëvendosje


Policia në Kosovë ndaloi sot një aktivist të një lëvizjeje të quajtur "Vetëvendosje", e cila ka rishkruar në zyrat kryesore të UNMIK-ut në Prishtinë, parullën Jo negociata, vetëvendosje. Kjo lëvizje e drejtuar nga Albin Kurti, konfirmoi se policia kishte arrestuar aktivistin e tyre Elhami Qeriqi, dhe tha se "Lëvizja Vetëvendosje! do të vazhdojë me shkrimin e parullave gjithandej nëpër Kosovë; do të vazhdojë me aksione protestuese" kundër atij që ajo e quan regjim antidemokratik i UNMIK-ut.

Policia në Kosovë konfirmoi sot pasdite vonë ndalimin e një personi, për kundravajtje, për shkrim të disa parullave, pa dhënë shumë sqarime për një incident për të cilin lëvizja e quajtur “Vetëvendosje”, pohon se ka ndodhur. Zëdhënësi i policisë Refki Morina, i tha Zërit të Amerikës, se një person ishte sjellë në stacionin policor dhe në konsultim me prokurorin public, kundër tij është hapur procedura kundravajtëse, dhe ende është i ndaluar. Lënda kundër tij është në përgatitje e sipër dhe me sa duket akuza kryesore është prishje e rendit dhe qetësisë publike.

Lëvizja “Vetëvendosje” tha në një njoftim të saj se incidenti kishte ndodhur sot rreth orës 11.30 në qendër të Prishtinës, kur aktivistët e lëvizjes Vetëvendosje, kishin rishkruar në murin që rrethon ndërtesën kryesore të UNMIK-ut, parullën JO NEGOCIATA – VETËVENDOSJE.

24 aktivistë kishin shkruar 24 shkronjat e kësaj parulle dhe ndërkohë që po shpërndaheshin, sipas kësaj lëvizjeje, Xhejms Dobrinski, zëdhënës i njësisë për krime lufte të policisë së UNMIK-ut, kishte ndërhyrë duke i vënë prangat njërit prej aktivistëve të quajtur Agon Hamzës. Po sipas këtij burimi, në momentin që donte t'i vinte prangat aktivistit tjetër të quajtur Xhelal Sveçla, aktivistët e tjerë kanë ndërhyrë duke liruar të dy aktivistët e ndaluar nga ky polic dhe dy policë të Shërbimit policor të Kosovës. Po sipas Lëvizjes, aktivisti Elhami Qeriqi është arrestuar gjatë kthimit për në shtëpi. Ky version i incidentit nuk është konfirmuar nga policia.

Lëvizja Vetëvendosje, tha se do të vazhdojë me shkrimin e parullave gjithandej nëpër Kosovë dhe se do të vazhdojë me aksione protestuese kundër atij që e quan regjim antidemokratik i UNMIK-ut.

XS
SM
MD
LG