Lidhje

SHBA: Konkurenca në industrinë e transportit të pasagjerëve


Ekonomistët thonë se konkurrenca mes bizneseve mund të sjellë prodhime më të mira dhe çmime më të ulëta. Në rrugët me trafik të dendur midis qyteteve amerikane, të ashtuquajturat kompani të autobuzëve për emigrantët e rinj po krijojnë konkurencë për kompanitë e mëdha të autobuzëve.

Betty Ungar po ndihmon pasagjerët që të hipin në autobuzin e kompanisë së saj. Ajo është nënë e 10 fëmijëve dhe mendoi se kishte një ide të mirë. Betty Ungar “I çova fëmijët e mi për një udhëtim në kryeqytetin tonë, Washington, udhëtim që ishte shumë i shtrenjtë. Ne shkuam në Washington me autobuz dhe ishte një përvojë e keqe. Në atë kohë mendova se mund të hap kompaninë time dhe të ofroj shërbim më të mirë me çmime më të ulëta.”

Betty Ungar është tani pronare e kompanisë së autobuzëve Washington Deluxe, një prej kompanive të autobuzëve, që janë hapur gjatë viteve të fundit dhe ofrojnë shërbim me çmim të ulët midis qyteteve të mëdha të Amerikës. “Për deri sa të zbatosh rregullat e Departamentit të Transportit çdokush mund të hapë një kompani autobuzësh. Nuk është aspak problem. Dhe pikërisht këtë bëra unë.”

Këta autobuzë janë plot me pasagjerë sepse kompanitë e tyre ofrojnë shërbim me gjysmën e çmimit të kompanive të mëdha të autobuzëve dhe një të katërtën e çmimit që kushton për të udhëtuar me tren në kompaninë kombëtare Amtrak të trenave. “Në të kaluarën udhëtoja me trenin Amtrak, por çmimi i këtyre autobuzëve është shumë më i lirë, 35 dollarë vajtje-ardhje, nuk mund të gjesh më lirë.”

Kompanitë e mëdha të autobuzëve, si Greyhound dhe Peter Pan mendojnë se kjo konkurencë nuk është e drejtë sepse, sipas presidentit të Shoqatës Amerikane të Autobuzëve, Peter Pantuso, nuk bëhet fjalë për standarte të njëjta. “Natyrisht që tregu i lirë ka gjithnjë konkurencë. Ajo që të gjitha kompanitë kërkojnë, është një konkurrencë e drejtë, në të cilën secila prej tyre zbaton të njëjtat rregulla federale, shtetërore dhe lokale, ka të njëtat sigurime, paguan të njëjtat taksa dhe shoferët e tyre kanë të njëjtën përgatije.”

Disa prej kompanive të reja më të mira, si Washington Deluxe e Betty Ungarit kanë mbijetuar dhe kanë krijuar një bazë sigurie dhe besueshmërie, duke tërhequr kështu pasagjerë të rinj. Kompanitë e para të autobuzëve me çmime më të ulëta u hapën para rreth 8 vjetësh.

Fillimisht, këta autobuzë transportonin emigrantët kinezë midis lagjeve të pjesës lindore të Shteteve të Bashkuara, me popullsi kineze, thotë Jack, i cili punon për një kompani autobuzësh në New York. “Shumica e njerzve nuk e kuptojnë se gjatë 5 vjetëve shërbimi i autobuzëve midis këtyre lagjeve, të quajtura Chinatown, që shkojnë në zona të ndryshme është shtuar shumë, sepse nevoja në komunitetet kineze është e madhe për t’i transportuar këta njerëz në zona të ndryshme për të punuar.”

Kompanitë e autobuzëve me çmime të ulëta nuk ndalojnë në stacione autobuzësh, por në anë të rrugës, gjë që e mban të ulët koston. Informacioni rreth shërbimit të tyre dhe rezervimi bëhet në Internet. Mes njerëzve që i preferojnë këto kompani të vogla autobuzësh, janë edhe studentët e turistët. Për shumicën e pasagjerëve, çmimet më të ulëta preferohen, edhe në se ngandonjëherë ata ndeshin në të papritura.

Për pasagjerë si Huani, udhëtimet me çmime më të ulëta me autobuz mund të shoqërohen me raste të rralla të pavolitshme, por konkurenca që ato krijojnë bën që konsumatorët në shumicën e rasteve të përfitojnë nga kjo.

XS
SM
MD
LG