Lidhje

Dhuna në familje


Meri Sherzia filloi të keqtrajtohet edhe para se të martohej me të shoqin në Iran:

“Im shoq më godiste edhe para se të martoheshim. I tregova nënës por ajo më tha se duhet të martohesha me të, pasi është turp për një femër që të kundërshtojë martesën.”

Kur ishin në mjedise publike, ata luanin rolin e një çifti të lumtur, por në jetën private Meri Sherzia vuante temperamentin e paqëndrueshëm të të shoqit nga turpi dhe frika. Ata kishin tre fëmijë dhe në vitin 1999 emigruan në Kaliforni. Ndoshta stresi i përshtatjes me jetën në një vend të ri, e bëri dhunën fizike të shtohej, derisa një ditë Meri shkoi në punë në restorant e mbuluar me vula nga keqtrajtimi dhe një nga koleget komentoi mbi këtë fakt:

“I tregova se isha rrëzuar. Ajo më tha se nëse nuk mund ta duroja më këtë jetë, duhet të thoja diçka dhe do të gjeja ndihmë.”

Pikërisht këtë bëri Meri Sherzia. Ajo ngriti padi. Gjykatësi nxori një urdhër që nuk e lejonte të shoqin t’i afrohej. Meri dhe fëmijët e saj u strehuan në një shtëpi për gra të keqtrajtuara. Aty ajo pati rastin të flasë me psiko-analisten Shahla Zandgiblari, e cila i shpjegoi se ky është një fenomen i përhapur:

“Dhuna ndaj grave ndodh në të gjitha shtresat, si në familje të pasura ashtu edhe të varfëra. Gratë dhe fëmijët ndikohen më rëndë. Është dhunë fizike, emocionale dhe financiare.”

Shoqata Mjekësore Amerikane përllogarit se mbi 4 milion gra janë viktima të akteve të rënda të dhunës nga të dashurit apo bashkëshortët çdo vit. Sipas statistikave një ndër katër gra ka shanse të bjerë viktimë e dhunës në familje. FBI-ja thekson se 30 për qind e grave që vriten në Shtetet e Bashkuara janë viktima të dhunës nga të dashurit apo bashkëshortët. Shahla Zandbiglari thotë se gratë iraniane dhe emigrante të tjera nuk i raportojnë këto incidente pranë autoriteteve pasi nuk i njohin mirë të drejtat e tyre:

“Ato nuk e njohin si duhet ligjin. Ato kanë të njëjtin mentalitet si kur jetonin në Irak ku babai merr nën kujdestari fëmijët. Prandaj, nga frika se do të humbasin fëmijët, ata e durojnë këtë gjendje.”

Megjithëse ligjet në Shtetet e Bashkuara u dalin në mbrojtje viktimave të dhunës, kur bëhet fjalë për emigrantë gjendja mund të ndërlikohet. Kur Meritt MkKeon u nda nga burri i saj iranian, pasi ai e keqtrajtonte, atij iu dha mundësia të merrte fëmijët me vete në Iran:

“M’u deshën 9 vjet që të arrija të ktheja fëmijët. Gjatë kësaj kohe kërkova ndihmë nga psikoanalisti, shkova në shkollë dhe u diplomova si juriste.”

Meritt MkKeon shkroi edhe një libër për keqtrajtimin e grave në familje dhe sot punon për të mbrojtur të drejtat e grave të keqtrajtuara. Ajo thotë se duhet bërë më shumë brenda sistemit ligjor për të mbrojtur viktimat e dhunës dhe t’u jepet atyre ndihma e nevojshme për të rifilluar jetën normale.

“Duhet të ndryshojmë botëkuptimin e gjykatësve dhe juristëve. Është një realitet shumë shqetësues kur gjykatësi nuk të beson.”

Por asgjë nuk mund të realizohet derisa gra si Meri Sherzia të marrin vetë masa për t’i ndalur rrugën keqtrajtimit.

XS
SM
MD
LG