Lidhje

Pritet vendimi i Listës serbe për të marrë pjesë në institucionet e Kosovës


Lista Serbe për Kosovë dhe Metohi, e kryesuar nga Oliver Ivanoviç, pritet të vendosë të mërkurën herët në mëngjes për të marrë pjesë në institucionet vendore.

Zoti Ivanoviç i tha Zërit të Amerikës se përfaqësuesit serbë pritet të hyjnë në institucione, por sidoqë të jetë, kjo do të vendoset përfundimisht të mërkurën në takimin e anëtarëve të kësaj liste, që përbën grupin më të madh të deputetëve serbë në parlamentin e Kosovës.

Përfaqësues të kësaj liste diskutuan sot për këtë çështje edhe me kryeadministratorin ndërkombëtar Sorren Jessen Petersen, i cili ka kërkuar vazhdimisht që serbët të zënë vendet e tyre në institucionet e Kosovës, për të qenë pjesëtarë të proceseve që po zhvillohen dhe për të thënë fjalën e tyre në to. Udhëheqësi i Listës serbe për Kosovë dhe Metohi, Oliver Ivanoviç tha pas takimit me kryeadministratorin ndërkombëtar të Kosovës Sorren Jessen Petersen, se ky grupim do të vendosë deri në fund të javës për kthimin në parlament ndërsa për kthimin në qeveri, vendimi pritet të merret më vonë.

Zoti Ivanoviç tha se shpreson se autoritetet në Beograd do të ofrojnë edhe mbështetjen e tyre, dhe nëse nuk ndodh kështu, kjo listë do të marrë vendimet e veta. Lidhur me procesin e decentralizimit, zoti Ivanoviç tha se ky proces duhet të zhvillohet në përputhje me interesat e qytetarëve dhe se vetëm një zonë kadastrale është absolutisht e papranueshme për serbët sepse nuk i përmbush sipas tyre, kriteret.

Në të njëjtën ditë, kur kjo listë duhet të vendosë zyrtarisht për të marrë pjesë në institucionet e Kosovës, në Prishtinë pritet të mbrrijë edhe shefi i diplomacisë evropiane, Havier Solana i cili, siç është paralajmëruar, do të vijë me mesazhin që udhëheqësit e Kosovës të merren më seriozisht me procesin e decentralizimit të pushtetit dhe t'i përgjigjen pozitivisht ftesës së Beogradit për dialog.

Një ditë para vizitës së zotit Solana, kryeadministratori Petersen dhe kryeministri Kosumi, pritet të shpallin Kornizën Strategjike për Komunitete dhe Kthim e cila do të ofrojë mundësinë për diskutime të nivelit të lartë për strategjinë e kthimit për vitin e ardhshëm. Kryeministri, Bajram Kosumi, dhe kryeadministratori ndërkombëtar Soren Jesen Peterseni, kanë ftuar kryetarët e partive politike, anëtarët e Grupit të Kontaktit, udhëheqësit e Shtyllave të UNMIK-ut, dhe përfaqësuesit e organizatave ndërkombëtare të marrin pjesë në grupin punues për kthim që do të mbahet nesër, për ta shpallur këtë kornizë.

XS
SM
MD
LG