Lidhje

Në Tiranë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbron saktësinë e vendimeve mbi ankesat e kandidatëve humbës


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ishte edhe sot epiqendra e zhvillimeve më të rëndësishme politike, ndërkohë që të gjitha partitë dhe institucionet e tjera presin rezultatet zyrtare të zgjedhjeve të përgjithshme. Komisioni ka mbetur aktualisht në labirintin e dhjetëra ankesave të partive politike dhe kandidatëve që kërkojnë rinumërim të kutive të 3 korrikut ose pavlefshmërinë e tyre.

Një zëdhënës i K.Q.Z. deklaroi sot se Komisioni gjendet prej shumë ditësh në kontradiktën midis nevojës për të nxjerrë rezultatet sa më parë, dhe nga ana tjetër shqyrtimit të disa qindra ankesave. Zëdhënësi Erton Sinani tha se shpejtësia e trajtimit të ankesave në asnjë rast nuk ka cënuar saktësinë ligjore të vendimeve të K.Q.Z. Ai theksoi se me gjithë numrin e madh të ankesave, një pjesë e konsiderueshme e tyre janë po aq të ngjashme sa edhe të pabazuara.

Reagimi i K.Q.Z. erdhi një ditë pas kritikave të misionit të vëzhguesve të OSBE/ODIHR, sipas të cilëve, K.Q.Z. po merr vendime në mënyrë të nxituar dhe se nga shpejtësia e punëve nuk po trajtohen si duhet një numër provash. Përfaqësues të K.Q.Z. u shprehën se saktësia e vendimeve të këtij komisioni po vërtohet dita-ditës edhe nga Kolegji Zgjedhor, i cili deri tani i ka lënë këto vendime në fuqi. Por për të gjithë subjektet e përfshira në procesin zgjedhor ka qenë i papritur vërshimi i një lumi prej qindra ankesash prej vetë socialistëve përgjegjës për organizimin e procesit zgjedhor, edhe në raste kur ato ishin dukshëm të pabazuara.

Analistë të juridiksionit janë shprehur që ndonëse sipas ligjit, çdokush ka të drejtë të ankohet pranë K.Q.Z., nga ana tjetër kjo mundësi që u jep atyre Kodi Zgjedhor po përdoret praktikisht nga socialistët si një manovër politike për të ngadalësuar procesin, përfundimi i të cilit do t’i nxjerrë ata në opozitë. Një zëdhënës i PS ngriti ngriti sot lart raportin kritik të ODIHR për K.Q.Z., duke lajmëruar se partia e tij do të kërkojë përsëritje zgjedhjesh në 6 zona zgjedhore.

Ndërsa ministri i pushtetit vendor, një këshilltar i afërt i kryeministrit në ikje, Fatos Nano, tha sot se partia e tij do t’i përgjigjet negociatave të sapofilluara nga PD me aleatët për qeverinë e re me të njëjtën monedhë; pra, duke kërkuar vota nga partitë e djathta për të krijuar një qeveri të mundshme.

XS
SM
MD
LG