Lidhje

Cili është Gjykatësi Xhon Roberts?


Presidenti Bush emëroi gjykatësin Xhon Roberts të Gjykatës Federale të Apelit si kandidat për Gjykatën e Lartë pas largimit të gjykatëses Sandra Dei O’Konor. Republikanët e kanë mirëpritur zgjedhjen e tij, ndërsa demokratët në opozitë janë zotuar se do të fillojnë një proces rigoroz me seanca pyetjesh për të bërë të qartë pikëpamjet e gjykatësit Roberts.

Presidenti Bush doli të martën para kamera me Gjykatësin Roberts në krah për të deklaruar se ai është kandidati i tij për Gjykatën e Lartë: "Vendimet e Gjykatës së Lartë ndikojnë në jetën e çdo amerikani, prandaj kandidati për anëtar i kësaj gjykate duhet të ketë cilësi të shkëlqyera dhe integritet shumë të lartë, duhet të jetë një person i cili do ta zbatojë me besnikëri Kushtetutën dhe të përmbushë premtimin e dhënë kur u themelua ky vend që të gjithë të jenë të barabartë para ligjit. Gjykatësi Xhon Roberts i përmbush këto kërkesa," tha presidenti.

Gjykatësi Roberts është 50 vjeç dhe ka një përvojë të gjatë në profesionin e juristit. Ai ka dalë dhjetëra herë para Gjykatës së Lartë si avokat që përfaqësonte qeverinë apo klientë privatë. Në fillim të viteve ’80 Xhon Roberts punonte si ndihmës i Gjykatësit Uilliam Renkuist dhe më pas filloi punë në administratën e presidentit Regan si avokat i Shtëpisë së Bardhë.

Gjatë administratës së presidentit të parë Bush ai punonte në Departamentin e Drejtësisë dhe ka dalë shpesh para Gjykatës së Lartë për të argumentuar pozitën e administratës lidhur me çështje ligjore. Gjykatësi foli mbrëmë shkurtimisht pas njoftimit të vendimit të presidentit.

Ai falenderoi presidentin Bush dhe tha se ndjehej shumë i nderuar nga emërimi për këtë post. "Para se të bëhesha gjykatës pata rastin të argumentoja çështje të ndryshme para Gjykatës së Lartë. Kjo përvojë më ka krijuar një respekt të thellë për rolin e gjykatës në një demokraci kushtetuese si dhe për vetë gjykatën si institucion," tha zoti Roberts.

Tani kandidatura e Gjykatësit Roberts do t’i shkojë Senatit për konfirmim. Demokratët e opozitës e pritën emërimin e Gjykatësit Roberts me skepticizëm dhe kanë në plan t’i kërkojnë sqarime të hollësishme gjatë seancës së konfirmimit. Çarls Shumer, senator demokrat nga Nju Jorku, është anëtar i Komisionit të Senatit për Gjyqësorin. "Ka rëndësi jetike që gjykatësi Roberts t’i përgjigjet një game të gjerë pyetjesh hapur, me ndershmëri dhe në mënyrë të plotë në muajt e ardhshëm. Pikëpamjet e tij do të ndikojnë tek një brez amerikanësh dhe është detyra e tij që gjatë procesit të konfirmimit të bëjë të ditura pikëpamjet e tij," tha senatori.

Presidenti ka bërë thirje për një proces dinjitoz konfirmimi. Senati pritet të fillojë seancat javën e parë të shtatorit, pas pushimeve të verës. Presidenti shpreson që zoti Roberts të fillojë punë në Gjykatën e Lartë brenda muajit tetor.

XS
SM
MD
LG