Lidhje

Me agrarët, e dhjathta rrëzon shpresat optimiste të socialistëve


Partia Demokratike ka mbyllur raundin e parë të bisedimeve duke kontaktuar me të gjithë aleatët e saj dhe dy partitë e tjera atë Agrare dhe Bashkimin e të drejtave të njeriut. Ndonëse nuk është arritur një marrëveshje përfundimtare bisedimet konfirmuan zgjerimin e shumicës së djathtë që vetëm me Agrarët arrin të ketë 77 deputetë. Një shifër që i rrëzon dhe shpresat më optimiste të socialistëve për të rekuperuar deri në një barazim me anë të ankimeve që ka bërë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Tashmë kanë përfunduar kontaktet dhe bisedimet me secilin nga aleatët e vjetër dhe të rinj të partisë demokratike. Negociatorët demokratë të përbërë nga nënkryetarja Jozefina Topalli, sekretari i përgjithshëm Ridvan Bode dhe zoti Genc Ruli kanë dëgjuar pretendimet e aleatëve dhe kanë bërë të qartë kufirin maksimal të ofertave që ata mund të japin. Duket se të gjithë aleatëtve u është ofruar nga një ministri.

Diskutimet kanë qenë të përqëndruara në gjetjen e ekuilibrave mes pretendimeve për dikastere të caktuara dhe mundësive për t’i kënaqur këto pretendime sipas peshës së secilit aleat dhe për të shmangur xhelozitë mes partive të vogla. Demokratët i paraprinë në një farë mënyre kësaj situata duke vendosur që ministritë kyce ti ketë nën përgjegjësinë e saj. Ndoshta ajo që mund të lëshojnë mund të jetë vetëm mbrojtja.

Nga ana tjetër demokratët kanë mbajtur parasysh edhe faktin se zgjerimi i aleatëve ka kufizuar hapësirat për figurat e partisë së tyre, aspekt i cili po menaxhohet mesa duket drejtpërdrejt nga kryetari Berisha. Burime jo zyrtare i thanë Zërit të Amerikës se tashmë, pas bisedimeve të kryera, thuajse është konfiguruar pjesa e kabinetit qeveritar që do u takojë aleatëve dhe mbetet vetëm që gjithshka të fiksohet nga kryetari Berisha I cili do të kryesoje edhe kabinetin e ardhshëm.

Nga ana tjetër bisedimet duket se i konfirmuan të djathtës edhe një shumicë më të madhe. Afrimi i Partisë Agrare të Xhuvelit dhe sipas të gjitha gjasave edhe I partisë së Bashkimit të të Drejtave të njeriut, duke marrë për bazë rezultatet e deritanishme i japin të djathtës 79 deputetë. Përfshirja e partisë agrare, me 4 deputetë, ka lehtësuar në një farë mënyre bisedimet, pasi në këtë mënyrë edhe presioni i forcave të tjera ishte lehtësisht më i thyeshëm.

Një shumicë e tillë si kjo e krijuar aktualisht, thyen edhe shpresat më optimiste të socialistëve të cilët ende nuk e pranojnë humbjen dhe që kishin besuar fort në mundësinë e një rekuperimi, deri arritjen e një barazimi për shkak të përmbysjeve të disa rezultateve qe mund te vinin nga komisioni qendror i Zgjedhjeve apo kolegji Zgjedhor. Pjesa dërrmuese e kryesisë socialiste ishte e mbledhur sot në selinë e partisë, në mungesë të kryetarit Nano. Por të gjithë u shprehën se bëhej fjalë për një takim informal dhe rutinor.

Nga ana tjetër Komisioni qendror i zgjedhjeve edhe sot ka rrëzuar kërkesat e paraqitura për pavlefshmëri të zgjedhjeve nga dy kandidatë demokrat dhe një tjetër socialist. Komisioni ka rrëzuar në total 24 ankime, ndërsa kolegji zgjedhor deri më tani, i ka lënë në fuqi vendimet e tij.

XS
SM
MD
LG