Lidhje

Kosovë: Hap i ri drejt decentralizimit


Kryeadministratori ndërkombëtar i Kosovës Sorren Jessen Petersen, nënshkroi sot një urdhër administrativ, në bazën e të cilit, në Kosovë duhet të fillojë procesi i decentralizimit, përmes pesë komunave pilot, nga të cilat dy janë serbe. Kufijtë territorialë të secilës njësi komunale pilot do të përcaktohen nga kryeadministratori ndërkombëtar. Misioni i OSBE-së në Kosovë, e përshëndeti nënshkrimin e këtij urdhëri administrativ dhe tha se themelimi i pesë njësive komunale pilot paraqet hapin e parë drejt reformimit të vetëqeverisjes lokale në Kosovë.

Shefi i misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Soren Jessen-Petersen, nënshkroi të premten urdhërin administrativ për zbatimin e planit të qeverisë për decentralizimin përmes projekteve pilot. Administrata ndërkombëtare bëri të ditur se zoti Petersen e mori këtë vendim pas konsultimeve me qeverinë dhe pas një takimi me Grupin e Kontaktit, i cili e mbështeti gjerësisht nënshkrimin e kësaj urdhërese dhe theksoi nevojën urgjente që institucionet vendore të bëjnë përparim të shpejtë, thelbësor në decentralizim. Kjo urdhëresë është bazë për themelimin e projekteve pilot brenda strukturave ekzistuese komunale në Kosovë, për të testuar themelimin e njësive të reja të vetëqeverisjes vendore, në formën e projekteve pilot.

Sipas kësaj urdhërese, formohen pesë njësi komunale pilot brenda pesë komunave ekzistuese: Juniku, brenda komunës së Deçanit, Parteshi brenda komunës së Gjilanit, Hani i Elezit brenda komunës së Kaçanikut, Graçanica brenda komunës së Prishtinës dhe Mamusha brenda komunës së Prizrenit.

Zbatimi i planit për njësitë komunale pilot, që mund të përfshijnë një ose më shumë zona kadastrale, do të bëhet me faza. Kufijtë territorialë të secilës njësi komunale pilot do të përcaktohen nga kryeadministratori ndërkombëtar i Kosovës bazuar në rekomandimin e ministrit të pushtetit local dhe siç do të përcaktohet në një Vendim Ekzekutiv që do të dalë para fillimit të secilit projekt pilot.

Asambletë e përkohshme në njësitë komunale pilot do të emërohen nga kryeadministratori ndërkombëtar pas dhënies së emrave të tyre nga ministry, pas një procesi zgjedhës, i cili do të bëhet në atë mënyrë që do të ketë parasysh pikëpamjet e banorëve në zonat për të cilat bëhet fjalë. Urdhëresa Administrative përmban pika që kanë të bëjnë me veprimin dhe kompetencat e njësive komunale pilot, të cilat do të veprojnë në bazë të të gjitha ligjeve në zbatim në Kosovë.

Mbikqyrja e njësive komunale pilot do të bëhet nga ministria e pushtetit lokal në bashkëpunim me UNMIK-un. Kjo urdhëresë administrative, e cila hyri në fuqi të premten, do të jetë vepruese deri në datën e mbajtjes së zgjedhjeve lokale të vitit 2006.

Në njoftimin e dhënë nga administrate ndërkombëtare thuhet se fillimi i njësive komunale pilot, përfaqëson një hap konkret përpara në reformën në qeverisjen vendore në Kosovë dhe vë bazën që qeveria të plotësojë angazhimin e saj për projektet pilot si raste testuese për qeverisje të mirë në nivel local dhe afrim tek komunitetet përkatëse.

Misioni i OSBE-së në Kosovë mirëpriti nënshkrimin e kësaj urdhërese, duke e konsideruar atë një hap afrimi të qeverisë me qytetarët. OSBE-ja tha se do të bëjë presion për zbatimin e procesit të decentralizimit dhe theksoi se tani është thelbësore që të gjitha palët e interesuara të fillojnë të punojnë menjëherë për projektet pilot.

Ambasadori i OSBE-së në Prishtinë, Verner Vendt, tha se nuk duhet humbur kohë sepse përparimi në këtë fushë është shumë i domosdoshëm për një vlerësim pozitiv të standardeve. OSBE-ja tha gjithashtu se themelimi i pesë njësive komunale pilot paraqet hapin e parë drejt reformimit gjithë-përfshirës të vetëqeverisjes lokale në Kosovë dhe shtoi se hapi tjetër duhet të jetë emërimi i këshilltarëve komunalë dhe përcaktimi i kompetencave të njësive komunale pilot.

XS
SM
MD
LG