Lidhje

Të rejat ekonomike të javës


Kina thotë se do ta bëjë paranë e saj më elastike duke e lidhur normën e këmbimit të saj me disa monedha të tjera dhe jo vetëm me dollarin amerikan. Zyrtarët amerikanë thanë se ky është një fillim i mirë për të eliminuar avantazhet tregtare që i jep Kinës një para që mbahet artificialisht në nivele të ulta..

Drejtori i Bankës Qendrore amerikane, Alan Greenspan është optimist kur flet për rritjen e ekonomisë në Shtetet e Bashkuara, për të cilën thotë se në muajt e ardhshëm do të shohë zgjerim të mëtejshëm me një nivel të ulët inflacioni. Por zoti Greenspan thotë gjithashtu se kjo do të kërkojë rritjen e kostos së kreditit gjë që e bën të pashmangëshme një rritje tjetër të interesit bankar kur Bordi i Bankës Qendrore të mblidhet pas dy javësh.

Megjithë çmimet rekord të naftës, dy kompani ajrore amerikane thonë se kanë realizuar fitime. Të ardhurat për tremujorin e sapombyllur për firmat American Airlines, kompania më e madhe ajrore si dhe Continental Airlines, i tejkaluan parashikimet.

Eastman Kodak, kompania e fotografisë, do të shkurtojë 10 mijë vende pune tani që ajo është në një fazë të vështirë kalimi nga filmi për në fotografinë dixhitale. Ndërsa Hewlett-Packard, prodhuesi i kompjuterave dhe printerave, do të pushojë 14 mijë njerëz në kuadrin e një plani tjetër ristrukturimi.

Bordi i Drejtorëve të kompanisë UNOCAL pranoi një ofertë tjetër më të lartë për t’u blerë nga firma Shevron Oil. Analistët thonë se ky vendim mund të shënojë fundin e përpjekjes ambicioze të Kinës për të blerë një kompani amerikane.

Firma kineze CNOOC limited- kompania e tretë më e madhe kineze e naftës, 70 përqind e së cilës është pronë e qeverisë, ka bërë gjithashtu një ofertë për të blerë UNOCAL-in. Presidenti Bush dhe kryeministri indian Manmohan Singh thonë se janë të vendosur për të forcuar lidhjet e biznesit mes dy vendeve.

Në komentet e bëra pas bisedimeve në Shtëpinë e Bardhë, të dy ata folën për nevojën për ta çuar përpara partneritetin, i cili do të ishte me përfitim për të dy vendet.

XS
SM
MD
LG