Lidhje

Në Veri të Itakës - libri i ri i shkrimtares greko-amerikane Eleni Geixh


E shkuara e paharruar e një familjeje vjen në jetë përmes një libri të ri, që doli në qarkullim këtë verë në Shtetet e Bashkuara. “North of Ithaka” Veriu i Itakës, i shkrimtares së re amerikane, Eleni Gage. Kohët e fundit ajo jetoi për një vit në një fshat të vogël malor në Greqi, duke ndjekur rindërtimin e shtëpisë që la pas familja e saj më shumë se një gjysmë shekulli të shkuar. George Bistis i Zërit të Amerikës përgatiti këtë reportazh.

Shtëpia për të cilën flet Eleni Geixh në Veri të Itakës, është në fshatin e largët grek të Lias në afërsi të kufirit me Shqipërinë. Ajo ishte shtëpia e gjyshes së saj Eleni Gatzoyiannis, emrin e të cilës rashëgon autorja. Eleni Gatzoyannis u ekzekutua në vitin 1948 nga komunistët gjatë Luftës Civile Greke pasi mundësoi ikjen e katër nga pesë fëmijët e saj në Amerikë. Vetë Eleni qëndroi pasi ndihmoi eksodin e tyre drejt lirisë duke sakrifikuar jetën e saj për sigurinë e tyre.

Historia e saj, shkruar nga një prej fëmijëve të saj të ikur, Nikolas Geixh, u bë libri më i shitur në vitin 1982 dhe më pas u pasqyrua në filmin me titull Eleni. Vajza e tij, autorja Eleni Geixh vendosi të kthehej në Lia të Epirit, një nga rajonet më të varfëra të Bashkimit Evropian. Ashtu siç shkruhet në parathënien e librit, ajo kërkonte të qetësonte shpirtrat e familjes së saj. “U rrita duke dëgjuar historitë e jetës së hallave të mia dhe babait në shtëpinë në fshat. Doja ta rindërtoja ashtu siç e mbanin mend ata dhe jo ta lija të shembej” tregon Eleni.

Në një ceremoni për nënshkrimin e librit të saj në Uashington, Eleni tha se kur bëri të ditura planet e saj për të jetuar një vit në fshatin me më shumë dele sesa banorë, hallat e saj filluan të shqetësohen. I ati, Nicholas Gage ishte gjithashtu skeptik. "Kishim mendime të ndryshme për planet pasi nëna ime u mbajt e burgosur aty dhe u torturua para se të ekzekutohej. Nuk donim ta rindërtonim, e lamë të rrënohej e të kthehej në gërmadhë. Por Eleni, me të drejtë tha se nuk duhet ta linim të shkatërrohej, por të rindërtohej për të demonstruar se familja jonë nuk u shkretua por mbijetoi dhe u gjallërua," tregon babai i shkrimtares.

Eleni u miqësua me barinjtë, fshatarët dhe refugjatët shqiptarë në Lia të cilët e ndihmuan atë të rindërtonte shtëpinë në mënyrë që i ati dhe hallat e saj të kishin mundësi të rijetonin ditët e lumtura të fëmijërisë së tyre. "Mendova se ishte e rëndësishme të kthehesha dhe të rindërtoja shtëpinë si një monument për gjyshen time dhe për familjen. Mbijetova dhe në fakt ja kalova shumë mirë," tregon Eleni.

"Ajo ka trashëguar gjërat që më pëlqejnë dhe kjo është gjëja tjetër që më gëzon pa masë," thotë zoti Geixh për të bijën.

North of Ithaka apo Shtëpia ime në Epir siç quhet varianti grek i librit është pjesë e kujtimeve, pjesë e sagës së familjes, pjesë e historisë së zbulimit të vetvetes por mbi të gjitha është një udhëtim në shtëpi.

XS
SM
MD
LG