Lidhje

Shqipëri: Ende nuk ka rezultate përfundimtare për zgjedhjet


Në Shqipëri, procesi zgjedhor vazhdon të mbetet pa një rezultat përfundimtar. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, mori të shtunën për herë të parë në shqyrtim zonën 64, një nga tre zonat të cilat nuk kanë ende një rezultat pas zgjedhjeve të tre korrikut. Në këto zona rivalizojnë kandidati socialist Ethem Ruka dhe ai demokrat Ilir Bano.

Në pamundësi për të shpallur rezultatin për shkak se mungon tabela përfundimtare që duhej të hartohej nga komisionerët zonalë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur të kërkojë shqyrtimin e provave për të marrë një vendim. Deri tani, Komisioni ka marrë vendime për pak më shumë se gjysmën e kjërkesave për shpallje të pavlefshmërisë së zgjedhjeve në 60 zona të vendit.

Sipas deklarimeve të mëparshme, Komisioni do të duhej të mbyllte të shtunën të gjitha procedurat dhe të shpallte rezultatin e përgjithshëm përfundimtar për t'i lenë më pas vendin vendimeve të Kolegjit Zgjedhor. Sipas rezultateve të deritanishme, koalicioni i djathtë i kryesuar nga Partia Demokratike, ka siguruar një shumicë prej të paktën 73 vendesh për parlamentin e ardhshëm.

Prej disa ditësh, Partia Demokratike po zhvillon bisedime intensive për formimin e kabinetit të ri qeveritar. Në këto bisedime, janë përfshirë edhe dy ish aleatë të Partisë Socialiste, Partia Agrare me 4 deputetë dhe Partia Bashkimi i të Drejtave të Njeriut me dy mandate.

XS
SM
MD
LG