Lidhje

Egjipt: Presidenti Mubarak i vendosur për të vazhduar luftën kundër terrorizmit


Presidenti i Egjiptit Hosni Mubarak tha se vala e sotme e sulmeve në qytetin turistik Sharm el-Sheik, nga e cila gjetën vdekjen të paktën 88 persona, e ka rritur edhe më tej vendosmërinë e tij për të mposhtur terrorizmin.

Presidenti egjiptian i bëri këto komente vetëm disa orë pasi tre shpërthime të kryera njëkohësisht goditën një hotel luksoz, një parkim dhe një treg në qytetin që shtrihet në brigjet e Detit të Kuq, pak pas orës një të mëngjesit sipas orës lokale. Mendohet se dy prej shpërthimeve ishin makina-bombë.

Zyrtarët thonë se pjesa më e madhe e viktimave ishin egjiptianë, por kishte edhe të paktën 8 shtetas të huaj që u konfirmuan ndër viktimat. Më shumë se 100 vetë u plagosën, shumë prej tyre në gjendje kritike. Ministri i Brendshëm i Egjiptit tha se ka disa të dhëna që i lidhin sulmet e sotme me shpërthimet e kryera në tetor në qytetin turistik Taba nga të cilat gjetën vdekjen 34 persona.

Një grup i vetëquajtur Brigadat Abdullah Azam të al-Kaidës në Levant dhe Egjipt mori përgjegjësinë për sulmet përmes një mesazhi të publikuar në internet. Këto pretendime nuk janë verifikuar ende.

Qeveritë në mbarë botën dënuan sulmet vdekjeprurëse në Egjipt dhe bënë thirje për unitet në luftë kundër autorëve të akteve të tilla. Shtetet e Bashkuara thonë se do të qëndrojnë përkrah popullit egjiptian në këto momente dhimbjeje.

Një deklaratë e Shtëpisë së Bardhë theksonte se Shtetet e Bashkuara janë të përgatitura t’i ofrojnë ndihmë Egjiptit për të sjellë personat përgjegjës para drejtësisë.

Në Britani, ku vendi ende nuk e ka marrë veten pas shpërthimeve të fundit në Londër, zyrtarët i cilësuan sulmet në Egjipt si një tjetër krim i tmerrshëm i terroristëve. Sekretari i Jashtëm Britanik Xhek Strou shprehu përkrahjen e plotë të qeverisë së tij për luftën e Egjiptit kundër terrorizmit.

Qeveria e Irakut i cilësoi sulmet si kanceri i terrorizmit që kërcënon paqen në mbarë botën. Jordania, Siria dhe Kuvaiti përcollën ngushëllimet e tyre dhe dënuan aktet.

Edhe Irani i dënoi sulmet, por u bëri thirje vendeve perëndimore të mos fajësojnë myslimanët, duke vënë kushte mbi komunitetet e tyre.

XS
SM
MD
LG