Lidhje

KQZ vendos përsëritjen e votimit në zonën 2 të Malësisë së Madhe


Në Shqipëri Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi sot përsëritjen e zgjedhjeve në zonën 2 të Malësisë së Madhe ku me tre korrik nuk u zhvillua votimi në 19 qendra dhe problemet mes anëtarëve të Komisionit zonal bllokuan të gjithë procesin e mëvonshëm. Ndërkaq bisedimet e pritshme mes Partisë Demokratike dhe asaj Bashkimi i të Drejtave të Njeriut nuk u zhvilluan as sot për shkak të mungesës së kryetarit të kësaj partie

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është tashmë drejt fundit të shqyrtimit të të gjithë ankesave, ndonëse sipas parashikimeve procedurat duhet të ishin mbyllur që javën e shkuar.

Sot Komisioni vendosi me vota të plota të të gjithë anëtarëve të tij ripërsëritjen e zgjedhjeve në zonën numër 2 të Malësisë së Madhe. Për këtë zonë nuk ka patur deri më tani asnjë rezultat. Më 3 korrik në 19 qendra votimi nuk u zhvillua, ndërsa anëtarët e komisionit zonal u përfshinë në konflikte të ashpra mes tyre duke bllokuara të gjithë procesin. Të 7 anëtarët u denoncuan më pas për ndjekje penale nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve si dhe u gjobitën.,vendim i cili u la në fuqi edhe nga Kolegji Zgjedhor.

Në këtë zonë gara është zhvilluar mes kandidatit demokrat Astrit Bushati dhe atij socialist Pal Leraj. Diferenca e votave në qendrat ku u zhvillua votimi ishte mbi 600 në favor të kandidatit të partisë demokratike. Pas vendimit të sotëm do të pritet dhe ai i Kolegjit Zgjedhor për të caktuar më pas ditën e zhvillimit të zgjedhjeve në këtë zonë. Me ndarjen e deritanishme të vendeve në parlamentin e ardhshëm rezultati i zonës 2 nuk sjell ndonjë përmbysje në konfigurimin e përgjithshëm. Megjithatë pritet që të dyja forcat politike të zhvillojnë një duel të ashpër, duke qenë se diferenca është e tillë që edhe një mandat i vetëm ka mjaft rëndësi.

Socialistët nga ana e tyre vazhdojnë të shpresojnë në një rekuperim edhe në zonën e ministrit të jashtëm Kastriot Islami, çështja e të cilit është ende në shqyrtim nga komisioni, ashtu si dhe në zonën 64 ku ende nuk ka një rezultat përfundimtar.

Këto zona si dhe ajo e Gjirokastrës ku është shpallur fitues zoti Genc Ruli, pritet të jenë pikat e nxehta në çështjet e mbetura për Komisionin Qendror. Ndërsa procesi i ankimeve vazhdon, në Partinë Demokratike sot nuk pati zyrtarisht asnjë të re nga fronit I bisedimeve për qeverinë e re. Takimi i parashikuar me Partinë e Bashkimit të të Drejtave të Njeriut nuk u zhvillua për shkak se kryetari I saj nuk gjendje në Tiranë. Demokratët thuajse kanë skicuara një skemë paraprake për kabinetin e ardhshëm që pritet të drejtohet nga zoti Berisha.

Në bisedimet e para është rënë dakort në parim dhe tani mbetet të formalizohen postet që do u jpene aleatëve, në një kohë kur është e qartë se ministritë kyce do të mbahen nga partia demokratike.

XS
SM
MD
LG