Lidhje

Trajtime të reja në luftën kundër kancerit


Mjekët që merren me trajtimin e kancerit thonë se njerëzimi po hyn në një epokë të re në fushën e kërkimeve për sëmundjen vdekjeprurëse. Ata janë optimistë për kërkimet e tanishme, si dhe për mundësitë e trajtimeve të reja, që po u shpëtojnë jetën njerëzve.

Kanceri, që dikur konsiderohej si shumë sëmundje të tjera, për t’u kuruar dhe eliminuar, tani po kuptohet më tepër ashtu si edhe një numër sëmundjesh të tjera, që karakterizohen nga një rritje e pakontrolluar e qelizave. Por ndërsa askush nuk pret që të gjendet një kurë për kancerin gjatë dekadës së ardhshme, disa shkencëtarë thonë se kemi hyrë në një epokë të artë përsa u përket kërkimeve dhe trajtimit të kancerit. "Jemi në një epokë të shkëlqyer përsa i përket terapisë dhe kërkimeve për kancerin".

Doktoresha Karen Antment, që drejton kërkimet për kancerin në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë, në periferi të Washingtonit, është një prej atyre që janë optimistë për këtë çështje. Ajo thotë se ka patur tre arritje kryesore: prodhimi i ilaçeve, kërkimet për vaksinat dhe përmirësimet e mëdha në teknologjinë e skanimit dhe fotografimit në laborator të trupit të njeriut. “Kur fillova studimet për mjekësi 25 vjet më parë, ne kryenim operacione për të gjetur se sa ka përparuar kanceri. Pastaj filloi të përdorej skanimi CT, me anën e të cilit mund të merrej një pamje e hollësishme e kancerit. Më vonë, imazhet magnetike me rezonancë, apo MRI, u bënë edhe më të mira për fotografimin e indeve të buta dhe tani ne kemi të ashtuquajturin fotografim funksional, nëpërmjet të cilit mund të shihet aktiviteti i një tumori. Nëpërmjet kësaj analize, në vend që të shohësh një hije në një rreze X, mund të shohësh mbarë metabolizmin e njeriut dhe kështu mund të tregohet ndryshimi mes kancerit dhe një tumori beninj, gjë që nuk mund të bëhej më parë. Hapi tjetër është fotografimi i molekulave, kur shkojmë nga fotografimi optik kur shihet me sy, tek fotografimi funksional, nëpërmjet të cilit mund të shihet me përpikmëri se cilat gjene janë aktivizuar gjatë kancerit dhe cilat jo”.

Mjekët thonë se po afrohet dita kur mënyrat e fotografimit të përmirësohen më tej. Doktoresha Antman thotë se kohët e fundit është përmirësuar fotografimi laboratorik i kancerit të gjirit, të zorrës së trashë dhe ndoshta edhe të prostatës. Po ashtu, trajtimi i këtyre kancereve është përmirësuar ndjeshëm, gjë që ka çuar të uljen e numrit të vdekjeve në Shtetet e Bashkuara. Por si shpjegohet që thuajse në të gjitha vendet e tjera të botës vihet re një rritje e numrit të njerëzve që janë me kancer? "Ndoshta arsyeja kryesore është pirja e duhanit, që po bëhet diçka e e zakonshme dhe rreziku i vdekjes nga kanceri i mushkërive po rritet së tepërmi, ashtu sikurse ndodhi disa dekada më parë në Shtetet e Bashkuara". Por ndërsa në vendet e varfëra janë të pakta mundësitë për fotografimin në laborator dhe trajtimin e kancerit, doktoresha Antman thotë se në dekadat e fundit zhvillimi i shkencës ka çuar në zbulimin e një numri të madh informacionesh në fusha të ndryshme, ilaçet janë më të efektshme dhe efektet anësor të tyre janë gjithnjë e më të vogla.

Në Amerikë, 40 për qind e njerëzve mund të diagnostikohen me një lloj kanceri dhe kjo shifër do të arrijë në 60 për qind deri në vitin 2010. 64 për qind e amerikanëve të diagnostikuar me kancer do ta mposhtin atë dhe kjo shifër do të ishte shumë e lartë, në se ata do t’i ishin nënshtuar fotografimit në laborator dhe në se do të ishin trajtuar një vit më parë. Disa mijëra mund të kishin mbijtetuar, por 30-50 për qind e njerëzve të diagnostikuar me kancer nuk trajtohen asnjëherë nga mjeku. Metoda më të mira fotografimi do të thotë diagnostikim më i shpejtë, pra mundësi më të mëdha për trajtimin e tyre. Sot vaksinat ndaj disa lloje kanceresh po bëhen më të efektshme dhe Perëndimi po përfiton nga zhvillimi më i shpjetë i ilaçeve më të mira me më pak efekte anësore, si dhe nga zbulimin e një intrumenti të ri diagnostikimi, që quhet teknologjia e copëzave të gjeneve.

Doktoresha Antman thotë se nëpërmjet teknologjisë së re të gjeneve, që lejon studimin e hollësishëm të aktivitetit të gjeneve mbi baza krahasuese, mjekët përcaktojnë se cilat gjene përbëjnë rrezik për pacientin që ai të zhvillojë më tej kancerin.

Në këtë rast, mjekët e trajtojnë më me agresivitet pacientin pikërisht për atë lloj kanceri. Duke u përqëndruar tek gjetja e një kure për kancerin, nëpërmjet zbulimit dhe trajtimit të tij më të mirë, studjuesit po bëjnë përparim shumë të madh në luftën kundër kancerit.

XS
SM
MD
LG