Lidhje

Boingu amerikan përpiqet me një avion të ri të dalë në krye të konkurrencës


Boingu amerikan, dikur firma më e madhe në botë për prodhimin e aeroplanëve ka rënë tani në vend të dytë pas Airbusit evropian. Por ndërsa Airbusi bëri të ditur para disa kohësh modelin e ri më të madh në botë që transporton 555 udhëtarë, Boingu i ka varur shpresat tek një tip më i vogël 777, për të cilin kompania thotë se ka më shumë nevojë se sa për Airbusin gjigand. Boingu shpreson që me modelin 777 të dalë përsëri në krye të konkurencës.

Aeroplani i ri i Boingut 777, konkuron ndaj modelit 340-500 të Airbusit. Në kuadër të një fushata reklamash, aeroplani i ri do të bëjë një turne 20 qytete në 50 ditët e ardhshme. Dje ai ishte Nju Jersi. Inxhinierët e Boingut thonë se në rrugë të largëta si Dubai-Miami, modeli 777 mund të transportojë 21 udhëtarë dhe 9 mijë e 900 kilogram më shumë ngarkesë se rivali Airbus. Robert Pollak i kompanisë Boing: “Ky tip konkuron me Airbusin e prodhimit evropian. Por Boingu mund të përshkojë një distancë më të gjatë, përdor më pak karburant dhe transporton 21 udhëtarë më shumë se Airbusi.”

Sipas Boingut aeroplani shpenzon 20 përqind më pak karburant dhe mund të përshkojë një distancë prej 9420 miljesh nautike në 18 orë. Thomas Imriç është kapiten: “Për shkak të motorrëve të fuqishëm dhe krahëve të gjatë, ky tip aeroplani mund të ngrihet më lartë duke e bërë fluturimin më të rehatshëm për udhëtarët. Ai mund të fluturojë mes dy destinacioneve të çfarëdoshme në botë pa patur nevojë për t’u rifurnizuar.”

Gjatësia e përgjithshme e aeroplanit është gati 64 metra. Ai ka një motorr të ri, të prodhuar nga General Electric, që përdor materale të lehta për elikat që sipas inxhinierit Rick Kennedy e pakëson ndjeshëm peshën e motorrëve. “Ky është motorri më i madh dhe më i fuqishëm për aeroplanë. Ajoi që e bën atë të veçantë është materiali i lehtë i përdorur për elikat. Nuk ka asnjë motorr në botë të përdorë lëndë të tilla që e ulin shumë pershën e motorrit dhe nga ana tjetër e rrisin së tepërmi fuqinë e tij.”

Modeli i ri i Boingut 777 u bë i njohur për herë të parë në shkurt të këtij viti. Aeroplani i parë do t’i shitet linjave ajrore pakistaneze në janar të vitit 2006. Deri tani 5 shoqëri ajrore, të gjitha jo amerikane, kanë porositur avionë të tillë.

XS
SM
MD
LG