Lidhje

Kamerat e përgjimit dhe liria e individëve


Sulmet e fundit terroriste në Londër kanë shtruar pyetje të reja për përdorimin e kamerave të vëzhgimit publik. Programet e avancuara të teknologjisë lejojnë zyrtarët e sigurimit të marrin më shumë informacion nga kamerat e vëzhgimit. Kanë lindur megjithatë pyetje se deri ku përdorimi i kamerave ndikon tek të drejtat civile. Por gjithnjë e më shumë zyrtarë po e mbështesin përdorimin e tyre.

Pamjet e terroristëve të dyshuar në shpërthimet e metrosë dhe autobuzin e Londrës, disa javë më parë, erdhën nga kamerat e sigurimit publik. Kamerat, mbi 200 mijë të tilla i gjen kudo në Britani. Për shembull çdo makinë që hyn apo del nga Londra regjistrohet në video kamera.

Tani kjo formë e sigurimit po përhapet më shumë në Shtetet e Bashkuara. Kamerat përgjuese po vendosen kudo, në qytete si Baltimorë, në shtetin lindor të Marylandit. Zyrtarët e policisë në Baltimore shohin ndryshimin që sjellin kamerat. Leonard Hamm është komisioner policie. " Kur vendos kameran në një zonë ke menjëherë 40 përqind zbritje në krime për gjashtë muaj".

Kjo teknologji mund të bëhet edhe më e përdorëshme tani që disa pajisje vëzhgimi janë të avancuara aq sa mund të luftojnë terrorizmin. Kompjutera te vecante kane programe që mund të zbulojnë kur dikush lëshon një çantë përtokë dhe mund të paralajmërojë zyrtarët menjëherë. Lentet sferike 360 gradëshe mundësojnë kamerat të ndjekin një individ të caktuar. Kompjuterat që janë të lidhur me to kanë gjithashtu mundësinë të ndjekin një njëri të caktuar, përfshi ata që janë në listën e përgjimit.

Ndërsa kjo teknologji zgjerohet dhe përdorimi rritet, lindin pyetje që lidhen me jetën private të njerëzve. Dr. Harlan Ullman është analist i sigurisë ndërkombëtar në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare. "Çështja është se si i përdor ato në një shoqëri që presupozohet të jetë e lirë dhe e hapur. Kjo bëhet vërtet çështje kritike. Ka konflikt midis të drejtës së shoqërisë për tu mbrojtur dhe të drejtës së individëve për të patur një farë sigurie dhe lirie pa imponime". Por zyrtarët e sigurisë besojnë se përgjigja e shpejtë që japin kamerat justifikon përdorimin e tyre më të madh nga autoritetet.

XS
SM
MD
LG