Lidhje

Diskavëri në hapësirë


Anija Diskavëri u hodh me sukses në orbitë dje në mëngjes, por janë ngjallur shqetësime rreth disa ciflave që ranë nga anija kur ajo u ngrit nga platforma.

Anija Diskoveri u hodh në hapësirë nga Qendra e Hapësinës Kenedi në Florida, më shumë se dy vjet pasi Nasa ndaloi misionit e anijeve për vajtje ardhje në hapësirë për shkak të katastrofës së anijes Kolumbia. Ndërkohë që Diskavëri u hodh në orbitë për misionin e saj 12 ditësh, kamerat kapën imazhe të ciflave duke rënë nga anija. Por nuk është ende e qartë nëse është dëmtuar veshja e jashtme e saj.

Zyrtarë të Nasës thanë dje vonë në një konferencë shtypi se një copë pllake mund të ketë rënë gjatë hedhjes. Pllaka janë humbur edhe gjatë hedhjeve të maparshme, por pa shkaktuar ndonjë problem gjatë hyrjes së anijeve në atrmosferën e Tokës.

Dhjetëra kamera regjistruan hedhjen e djeshme për të kapur shenja të ciflash të shkëputura, si ato që dëmtuan krahun e anijes Kolimbia gjatë hedhjes dy vjet e gjysmë më parë. Dëmtimi çoi në shpërthimin e anijes Kolumbia gjatë hyrjes në atrmosferën e Tokës, duke shkaktuar vdekjen e 7 astronautëve në bord. Zyrtarët e Nasës thonë se do t’i stdudiojnë me kujdes imazhet për të parë nëse anija ka pësuar ndonjë dëmtim.

Presidenti Bush i uroi ekuipazhit të anijes Diskavëri një mision të suksesshëm. Si shumë amerikanë të tjerë, Presidenti Bush ndaloi punën dje në mëngjes për të shikuar televizionin ndërkohë që anija Diskavëri për vajtje ardhje në hapësirë u hodh në orbitë.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Skot Meklellen, tha se duke shikuar nga një sallon pranë Zyrës Ovale, presidenti duartrokiti hedhjen e suksesshme dhe tha se kjo ishte një ditë e gëzueshme për të gjithë amerikanët: “Programi ynë i hapësirës është burim i një krenarie të madhe kombëtare dhe ky mision është një hap i rëndësishëm drejt objektivit tonë për të vazhduar rolin udhëheqës në shkencën e hapësirës, në fluturimet e njerëzve në hapësirë dhe në eksplorimin e hapësirës.”

Zoti Maklellen tha se presidenti falenderoi burrat dhe gratë e agjencisë amerikane të hapësirës, të cilët i kanë kushtuar tërë qenien e tyre kthimit të programit të hapësirës në kursin e duhur pas humbjes së ekipazhit të anijes Kolumbia më shumë se dy vjet më parë.

Presidenti Bush thotë se misioni afatgjatë i agjencisë së hapësirës është dërgimi i astronautëve në mars. Ai kërkon që shkencëtarët të ndërtojnë një bazë në hënë që të përdoret si pikënisje për misionet në mars. Kritikët thonë se kostoja e një misioni me njerëz në Mars do të pakësonte financimin për eksperimentet shkencore në stacionin ndërkombëtar të hapësirës dhe për mirëmbajtjen e domosdoshme të teleskopit Habëll të hapësirës.

XS
SM
MD
LG