Lidhje

Më shumë se 150 imigrantë ilegalë në brigjet italiane


Më shumë se 150 emigrantë ilegalë mbërritën sot në ishullin e Lampedusës në Itali. Mes emigrantëve kishte afrikanë dhe palestinezë, në kërkim të një jete më të mirë.

Qendra për pritjen e emigratëve e Italisë në Lampeduza përballet me një gjendje tjetër emergjente. Kapaciteti i qendrës është për 190 veta, por edhe një herë numri i emigrantëve të strehuar aty është më shumë se trefishi. Kjo qendër tani ka mbi 700 emigrantë.

Mbërritja e njerëzve të dëshpëruar në kërkim të një jete më të mirë nuk duket se po pakësohet. Gjatë javës së fundit, në ishull kanë mbrritur disa anije plot me emigrantë të paligjshëm. Garda bregdetare italiane kapi një varkë druri me 168 emigrantë ilegalë, rreth 30 kilometra larg bregut. Dy punonjës të gardës bregdetare hypën në barkë dhe u dhanë shishe me ujë emigrantëve, të cilëve iu kërkua të uleshin nga frika se barka do të zhytej. Barka u dërgua në ishullin e Lampeduzës nën shoqërimin e rojes bregdetare.

Në grupin e emigrantëve kishte vetëm burra, kryesisht afrikanë nga Togoja, Bregu i Fildishtë, Gana dhe Liberia, por kishte edhe disa palestinezë. Ata thanë se kishin paguar nga 1 mijë deri në 1 mijë e 500 dollarë për udhëtimin 4 ditor nga Tunizia. Ata nuk kishin asnjë ide se ku kishin mbërritur. Por të gjithë, megjithëse ishin krejtësisht të raskapitur, ishin të gëzuar që kishin mbërritur diku. Ata ishin të moshave të ndryshme, shumica nga 20 deri në 30 vjeç, por një prej tyre ishte vetëm 14 vjeç.

Një afrikan me pamje prej atleti foli frëngjisht. Ai tha se iku nga Togoja për shkak të luftimeve që filluan pas zgjedhjeve presidenciale. “Kur në Togo filluan problemet dhe njerzit po vriteshin, unë me familjen shkova në Benin. Ai i tha të jëmës se i duhej të vazhdonte udhëtimin për të gjetur një jetë më të mirë sepse gjendja ishte tepër e rëndë për ta.”

Në port, një mjek nga organizata jo-qeveritare Mjekët pa Kufij i ndihmoi emigrantët, ndërsa një anëtar tjetër i kësaj organizate u dha atyre ujë dhe biskota. “Emigrantët dukeshin në gjendje të mirë shëndetësore, por përballen me probleme të zakonshme që kanë lidhje me udhëtimin e tyre, si dehidratim për shkak të nxehtësisë, dhimbje koke dhe dhimbje trupi, sepse kishin qëndruar në pozicione të vështira për ditë të tëra në varkë. Ata kërkuan të dinë në se janë mirë me shëndet.”

Ndërkohë që qindra njerëz vazhdojnë të mbërrijnë në ishull, mijëra turistë frekuentojnë plazhet aty pranë me ujin e pastër si kristal. Dhe shumica e tyre nuk kanë fare dijeni se ç’ndodh. Asnjeri nuk i shikon emigrantët në ishull. Ata mbërrijnë në port dhe menjëherë çohen në qendrën e pritjes së emigrantëve, jo shumë larg aeroportit për t’u identifikuar. Pastaj dërgohen në pjesë të tjera të Italisë me anije ose aeroplanë dhe më në fund kthehen në vendlindje, me përjashtim të atyre që janë në gjendje të sigurojnë strehim politik.

XS
SM
MD
LG