Lidhje

Përpjekje për të ndryshuar imazhin negativ të Amerikës në botë


Vitet e fundit anketat e opinionit publik tregojnë se Shtetet e Bashkuara kanë problem serioz përsa i përket imazhit të tyre jashtë vendit. Presidenti Bush i ka kërkuar këshilltares së tij të afërt politike, Karen Hughes të ndihmojë në ndryshimin e këtij imazhi, duke e emëruar atë në një nga postet më të larta të Departamentit të Shtetit. Zonja Hughes pritet të konfirmohet nga senati por sfidat që ajo ka përballë janë të vështira.

Pushtimi amerikan i Irakut rriti antiamerikanizmin jo vetëm në vendet myslimane por edhe në vendet që konsideroheshin aleatë tradicionalë si Britania dhe Kanadaja. Arsye tjetër për humbjen e mbështetjes ndaj Amerikës, sipas analistëve është përkrahja e vazhdueshme e administratës Bush për Izraelin, një qëndim jopopullor në Lindjen e Mesme.

Jodie Allen, në qëndrën kërkimore Pew këtu në Washington që drejton anketime publike thotë se ndreqja e imazhit të Amerikës nuk do të jetë punë e lehtë. "Nuk është diçka që mund të ndreqet brenda natës. Duhet të tregosh vullnet të mirë jo vetëm me fjalë por me shembuj se qëllimet e Amerikës janë të mira dhe se nuk jemi vend imperialist".

Qendra kërkimore Pew anketoi 17 mijë njerëz në 16 vende, për të marrë opinionin e tyre reth Shteteve të Bashkuara. Vetëm Indonezia, që mori miliona dollarë amerikanë ndihma pas cunamit të dhjetorit të kaluar dhe India kishin një qëndim më të favorshëm ndaj Amerikës nga para se të fillonte lufta kundët terrorizmit.

Në seancën për konfirmim në senat, Karen Hughes pranoi se nuk do të jetë e lehtë ndryshimi i qëndrimeve negative. "E kuptoj se puna do të jetë e vështirë. Pikëpamjet nuk ndryshojnë shpejt. Jemi të përfshirë në një luftë idesh, luftë midis forcës së urrejtjes dhe forcës së shpresës. Në këtë kohë kur fjalët dhe thashethemet arrijnë tek njerëzit brenda sekondash, komunikimi me publikun e huaj është shumë i rëndësishëm për sukses në politikën tonë të jashtme".

Megjithëse nuk dha hollësi, zonja Hughes tha se do të inkurajojë sektorin privat të punojë për iniciativat e qeverisë mbi diplomacinë publike. "Kompanitë amerikane dhe universitetet, fondacionet, industria e turizmit ka lidhje me njerëzit në mbarë botën çdo ditë. Industria jonë e muzikës dhe filmit, artistët dhe argëtuesit krijojnë përshtytje të fuqishme, disa herë të mira e të këqija por gjithmonë të ndjeshme. Mirëpres idetë për më shumë angazhim të sektorit privat dhe do të kërkoj përfshirjen e asaj që është më e çmuar, qytetarëve tanë".

Michael Hurley, ekspert për kundërterrorizmin, beson se amerikanët e kuptojnë ndikimin që një imazh negativ ka mbi vendin dhe se ata janë të gatshëm të ndihmojnë për ta ndryshuar atë. "Si amerikanë ne duam zgjidhje të shpejta dhe praktike për problemet, por mendoj se duhet ta ndyshojmë këtë mendësi pasi ndryshimi i imazhit kërkon një strategji, një vizion afatgjatë, hapa të guximshëm për të bashkëpunuar me ndershmëri në mbarë botën për të thënë të vërtetën dhe për të zgjidhur problemet tona përmes një strategjie të mirë që të çon përpara".

Përpjekjet e mëparëshme për të përmirësuar imazhin e qeverisë amerikane me ndihmën e sektorit privat kanë patur ndikime të ndryshme jashtë vendit. Gjatë administratës së parë të presidentit Bush, departamenti i shtetit financoi fushatën e quajtur “Vlerat e Përbashkëta”. Ajo kishte si objektiv audiencën arabe duke shfaqur myslimanë amerikanë që theksonin se Amerika është një vend ku njerëzit e të gjitha besimeve dhe origjinave punojnë dhe jetojnë së bashku.

Në përpjekje për të komunikuar direkt me botën arabe u krijua rrjeti televiziv Al Hurra dhe Radio Sawa, që transmetojnë lajme dhe muzikë pop. Të dyja kanalet janë korporata private por të administruara nga e njëjta agjenci qeveritare që drejton Zërin e Amerikës. Sipas anketave në Lindjen e Mesme, rrjetet kanë patur sukses për të tërhequr dëgjuesit dhe shikuesit arabë. Por Karen Hughes shton se dëgjimi i mendimeve të ndryshme është gjithashtu pjesë e rëndësishme e diplomacisë publike. "Misioni i diplomacisë publike është përfshirja, informimi dhe ndihma për të kuptuar politikat dhe vlerat tona. Por është më se e qartë, para se të kërkojmë të na kuptojnë duhet të punojmë për të kuptuar".

Zonja Hughes shpreson se njerëzit në mbarë botën do të jenë të gatshëm të dëgjojnë mesazhin e saj.

XS
SM
MD
LG