Ushtria Republikane Irlandeze njoftoi se do t’i japë fund fushatës së saj të armatosur kundër sundimit britanik dhe se do të përpiqet për realizimin e objektivave të saj me mënyra paqësore. Kjo organizatë e jashtëligjshme tha se veprimtaritë e saj ushtarake do të përfundojnë prej ditës së sotme.
Ajo u bëri thirrje ekstremistëve të saj për të punuar në mënyrë paqësore drejt arritjes së programeve politike dhe demokratike. Kryeministri Tony Blair tha se vendimi i Ushtrisë Republikane Irlandeze është një hap i pashembullt në historinë e kohëve të fundit të kësaj organizate. Edhe kryeministri irlandez Bertie Ahern si dhe Shtëpia e Bardhë përshëndetën njoftimin.
Gerry Adams, udhëheqësi i Shin Feinit, krahu politik i Ushtrisë Republikane Irlandeze, tha se ky vendim do të ndihmojë në rigjallërimin e procesit të paqes. Ushtria Republikane Irlandeze shprehu besimin se kryengritja e saj e armatosur ishte e ligjshme, por shtoi se ekziston një alternativë për t’i dhënë fund sundimit britanik në Irlandën e Veriut dhe për të arritur bashkimin me Irlandën.
Ushtria Republikane Irlandeze fajësohet për vdekjen e 1 mijë e 800 njerzve gjatë fushatës së saj të armatosur, e cila vazhdoi për më shumë se 3 dekada. Që nga viti 1997 ajo kishte shpallur armëpushimin.
Ndërkaq, Shtëpia e Bardhë e cilësoi njoftimin e Ushtrisë Republikane Irlandeze si një vendim të rëndësishëm, që mund të ketë vlera historike.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Scott McClellan tha se njoftimi duhet të pasohet tani me vepra që tregojnë se Ushtria Republikane Irlandeze është e angazhuar për të respektuar ligjin dhe për të dënuar veprimtaritë kriminale dhe ushtarake.
Zëdhënësi tha se Shtetet e Bashkura janë të vendosura për të mbështur procesin e paqes në Irlandën e Veriut.