Lidhje

Ekonomia amerikane rritet me 3,4 përqind gjatë tremujorit të dytë të vitit


Sipas një raporti të botuar sot nga departamenti amerikan i tregtisë, ekonomia e Shteteve të Bashkuara u rrit 3,4 përqind gjatë tremujorit të kaluar. Ndërkohë, Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit amerikan miratoi një ligj të ri për energjinë, i cili parashikon shkurtime taksash për kompanitë e naftës, të qymyrgurit dhe të energjisë bërthamore. Përkrahësit e projektligjit thonë se ai do të inkurajojë kompanitë të zgjerojnë prodhimin dhe të ulin varësinë amerikane tek burimet e huaja të energjisë.

Shtetet e Bashkuara, Kina dhe katër vende të tjera thonë se po krijojnë një partneritet për të luftuar ngrohjen globale duke shkëmbyer teknologji që nuk e dëmton mjedisin. Australia, India, Japonia dhe Koreja e Jugut iu bashkuan dy ndotësve më të mëdhenj të ajrit në botë, Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, në një marrëveshje që synon pakësimin e gazeve që shkaktojnë efektin serë, pa penguar rritjen ekonomike. Disa organizata për mbrojtjen e mjedisit ankohen se marrëveshjes i mungojnë objektivat konkrete për pakësimin e këtyre gazrave.

Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit amerikan miratoi dje me diferencë të vogël votash Marrëveshjen për Tregti të Lirë me vendet e Amerikës Qendrore. SEnati e kishte miratuar më parë marrëveshjen, e cila pakëson pengesat tregtare midis Shteteve të Bashkuara dhe 6 vendeve të Amerikës Qendrore. Tani marrëveshja do t’i kalojë Presidentit Bush për ta kthyer në ligj.

Disa kompani të mëdha të tregtisë së jashtëme këtë javë i rritën parashikimet e fitimeve dhe të shitjeve. Kompania Boeing dhe prodhuesja e Airbusit, EADS, thanë se presin rritje të trafikut ajror, sidomos në Azi, krahas një përmirësimi në ekonominë botërore.

Shumë nga partnerët tregtarë të Kinës e përshëndetën rivlerësimin e monedhës së saj javën e kaluar. Por zyrtarët kinezë thonë se rivlerësimi nuk nënkupton se do të ketë juani do të pësojë ndryshime të mëtejshme brenda një periudhe të shkurtër. Kina e rriti vlerën e monedhës së saj diçka më shumë se 2 përqind por disa ekonomistë të huaj thonë se është e nevojshme një rritje prej 10 deri në 15 përqind.

Këtu në Shtetet e Bashkuara, shitjet e shtëpive të reja u rritën 4 përqind, duke arritur një nivel rekord në muajin qershor. Një raport i Departamentit amerikan të tregtisë thoshte se nëse shitjet vazhdojnë të rriten me ritmet e qershorit gjatë gjithë vitit, në Shtetet e Bashkuara do të shiten rreth 1,4 milion shtëpi të reja. Përqindjet e ulta të interesit dhe shtimi i të ardhurave i kanë dhënë një shtytje të fuqishme tregut të pronave të patundëshme në Shtetet e Bashkuara.

XS
SM
MD
LG