Lidhje

Pas një arrestimi, policia italiane vazhdon kërkimin për të dyshuar të tjerë


Në Itali, policia po bën kontrolle kudo në vend pas arrestimit në Romë të një personi që besohet se ka patur gisht në përpjekjet për shpërthime bombash në Londër më 21 korrik.

Ministri i brendshëm i Italisë, Giuseppe Pisanu, tha se të paktën 15 kontrolle u zhvilluan në pjesë të ndryshme të Italisë pas arrestimit të personit të dyshuar 27-vjeçar. Duke dhënë hollësitë e para lidhur me arrestimin e djeshëm në një apartament të Romës, ai tha se personi kishte shtetësi të dyfishtë: britanike dhe etiopiane.

Zoti Pisanu i cili iu drejtua Dhomës së Ulët të Parlamentit, tha se personi, emri i të cilit besohet se është Osman Hussain, akuzohet se ishte përpjekur të shpërthente një mekanizëm në një tren të metrosë që po drejtohej për në lagjen Shepherd's Bush të Londrës. Ai është një ndër katër të dyshuarit kryesorë lidhur me sulmet e dështuar të 21 korrikut në sistemin e transportit të Londrës.

Ministri i brendshëm tha se autoritetet qenë në gjendje ta gjejnë personin duke u nisur nga telefonatat që ai kishte bërë me celularin e tij. Ai tha se pesë ditë pas përpjekjes për shpërthime, i dyshuari kishte udhëtuar me tren nga Londra për në Paris.

Hetuesit ndoqën lëvizjet e tij nga Londra, në Paris, Milano dhe pastaj në Romë, ku aik u strehua në shtëpinë e të vëllait. Zoti Pizanu shtoi se i dyshuari u përpoq t’i shmangej arrestimit duke shfrytëzuar kontaktet e tij në Itali.

”Nga hetimet u bë e mundur të identifikohej një rrjet i dendur individësh që u përkisnin komuniteteve të Eritresë dhe Etiopisë në Itali, të cilët besohet se e kanë ndihmuar atë të mbulojë gjurmët.”

Ministri Pizanu tha gjithashtu se hetime të rëndësishme janë duke u kryer në Venecia, Salerno dhe qytete të tjera italiane, nga veriu në jug. Ai theksoi se policia në Milano kontrolloi një ndërtesë ku bëheshin dokumente falso për imigrantët e paligjshëm. Materialet e konfiskuara po analizohen tani nga autoritetet.

Zoti Pisanu tha gjithashtu se personi i arrestuar të premten kishte qenë në kontakt me persona afrikano-lindorë në Milano dhe në Breshia të Italisë veriore.


Prokurorët e antiterrorit po përpiqen të mësojnë sa të munden nga kontaktet dhe lëvizjet e tij brenda vendit si dhe të përcaktojnë nëse ka ndonjë plan për sulme në Itali. Deri tani, duket se personi i dyshuar po bashkëpunon me autoritetet.

XS
SM
MD
LG