Lidhje

Presidenti Bush mund ta emërojë kandidatin për ambasador në OKB, duke anashkaluar Senatin


Zyrtarët e administratës amerikane thonë se Presidenti Bush ka mundësi ta emërojë John Boltonin në postin e ambasadorit në OKB, duke anashkaluar senatin. Dy zyrtarë amerikanë, që nuk pranuan të identifikohen u thanë gazetarëve se presidenti Bush do ta bëjë emërimin që ka ngjallur polemike në bazë të një klauzole të kushtetutës të përdorur rrallë.

Sipas Kushtetutës, presidenti mund të emërojë dikë pa miratimin e Senatit, në kohën kur Kongresi nuk është i mbledhur. Zoti Bolton do të ishte në gjendje të shërbente në post deri kur të mblidhet Kongresi i ardhshëm në janar të vitit 2007. Demokratët në senat e kanë bllokuar prej muajsh emërimin e zotit Bolton, duke e akuzuar atë se ka manipuluar të dhëna zbulimi para luftës së Irakut.

Ai ka qenë gjithashtu një kritik i ashpër i Kombeve të Bashkuara. Në një letër dërguar Presidentit Bush, 36 senatorë shpreheshin se zoti Bolton nuk kishte thënë të vërtetën në përgjigjet ndaj pyetjeve të Kongresit dhe i kërkuan presidentit që të caktojë një kandidat tjetër.

XS
SM
MD
LG