Lidhje

Zona si Gjiri i Meksikës, bëhen objekte të kërkimit të naftës nën ujë


Kërkesa në rritje për energji në gjithë botën po nxit përpjekjet për eksplorimin e naftës dhe gazit. Zona të rëndësishme për eksploruesit janë ato në vende me ujra të thella si Gjiri i Meksikës.

Në thellësi të ujrave të Gjirit në brigjet e Luizianës, Anija Millennium ndodhet mbi një zonë shpimi të quajtur Çinxhis Kan.

Anija mbahet në vend pa lëvizur me mikroraketa të kontrolluara me kompjuter, që drejtohen nga operatori i pozicionimit dinamik, Ralf Benham.

“Ne nuk kemi nevojë për spiranca për të qëndruar në vend. Përdorim vetëm mikroraketat si dhe sisteme referimi siç është pozicionimi global. Ne arrijmë ta gjejmë vendndodhjen e saktë me një diferencë plus minus një metër. Kështu ne dimë ku është pusi dhe e mbajmë anijen aty ku duhet”.

Anija duhet të ndodhet pikërisht mbi një vrimë që po e shpon përmes një shkëmbi mbi 1 mijë metra thellë.

Anija Millenium për ujërat e thella është vënë në punë nga Kompania e Naftës Anadarko me qendër në Hjuston. Bob Abendschein është zëvendës president dhe menaxher i përgjithshëm.

“Ne gjithmonë përpiqemi të bëjmë zbulime të reja dhe teknologjia luan një rol të madh në këto zbulime”.

Ai thotë se shumë struktura gjeologjike nënujore janë eksploruar vite të shkuara, por teknologjia e re mund të ndihmojë të gjenden depozita të mundshme hidrokarburesh që nuk ishin diktuar më parë.

“Ne dërgojmë valë zanore dhe ato krijojnë imazhe të përbërjes së strukturave, gjë që na ndihmon të gjejmë rezervat e naftës dhe ku të bëjmë shpime”.

Pak pasi ato pamje u regjistruan, ekuipazhi i Millenniumit bëri një zbulim të rëndësishëm në Çinxhis Kan.

Kur gjendet një depozitë e bollshme nafte ose gazi, miliona dollarë investohen për ngritjen e objekteve të përpunimit.

Puset e ujrave të thella mund të jenë qindra kilometra larg brigjeve. Mijëra metra tubacione duhet të vendosen nën ujë deri tek shkëmbi nënujor për të arritur në depozitat e hidrokarbureve.

Pusi që po ngrihet nga Anadarko do të lidhet përmes tubacioneve nënujore me platformën ekzistuese, e lidhur kjo me tabanin e detit jo larg që andej.

Nafta dhe gazi që prodhohen në det dërgohen në tokë përmes një naftësjellësi tjetër nënujor.

Në disa zona bregdetare, banorët kanë bllokuar zhvillimin e projekteve të mundshme të energjisë, nga frika e dëmeve për mjedisin. Por Bob Abendschein thotë se transportimi i naftës me cisternë është shumë më i rrezikshëm sesa sjellja në breg përmes tubave nënujore.

“Anijet janë shumë më ndryshe sesa naftësjellësat, të cilat kanë valvula sigurie dhe ndjesorët e presionit. Sapo diçka nuk funksionon, i gjithë sistemi pushon së funksionuari”.

Edhe një anije eksplorimi si Millenium, nëse është e nevojshme mund t’i ndërpresë operacionet dhe të largohet me shpejtësi, sipas Ralph Benhamit.

“Për fat të mirë, uraganët janë dukuritë më pak shqetësuese, sepse parashikimet tona për kohën janë shumë të sakta dhe ne e dimë pak a shumë se kur arrijnë”.

Zoti Benham thotë se sapo stuhia kalon, anija mund të kthehet dhe të rifillojë operacionet në të njëjtin vend.

Teknologjia e zhvilluar nga kompanitë e naftës si Anadarko në Gjirin e Meksikës përdoren në zona nënujore kudo në botë, sipas Bob Abendscheinit. Ai thotë se ata po punojnë për të filluar operacione të ngjashme shpimi në Afrikën Perëndimore dhe në Gjeorgji në vitet e ardhshme.

XS
SM
MD
LG