Lidhje

Pas sulmeve në Londër, në SHBA ringjallet shqetësimi për sigurinë në transportin publik


Pas sulmeve terroriste kundër sistemit të transportit publik të Londrës, anëtarë të Kongresit amerikan po e analizojnë më nga afër nivelin e përgatitjes në Shtetet e Bashkuara për të përballuar sulme të mundëshme ndaj sistemit të transportit masiv në Amerikë.

Sulmet në Londër dhe ato të vitit 2004 kundër trenave të udhëtarëve në Madrid, që ishin akoma më shkatërrimtare, e kanë nxjerrë në qendër të vemendjes të Kongresit amerikan çështjen e sigurisë në sistemet e transportit masiv.

Kongresi zhvilloi këto ditë një seancë me pyetje përgjigje ku ishin ftuar zyrtarë të sistemeve të transportit nga qytete të tillë si Nju Jorku, Los Anxhelesi dhe Uashingtoni.

Kongresmeni republikan, Peter King, i cili kryeson komisionin, vuri në dukje atë që tashmë të gjithë e dinë lidhur me pikat e dobëta të sistemit të transportit masiv:

"Për shkak të përmasave, natyrës së hapur dhe karakterit tepër të ndërlikuar të transportit masiv, nuk ekzistojnë pika kontrolli siç ka nëpër aerporte për të inspektuar udhëtarët dhe pakot. Udhëtarët janë njerëz të panjohur gjë që ua bën të lehtë ikjen atyre që mund të sulmojnë."

Kongresmeni demokrat Bill Pascrell, është midis atyre që thonë se pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, sigurisë në transportin ajror i është kushtuar shumë më tepër vemendje se sa asaj në sistemin e transportit masiv, duke krijuar një prishje të ekuilibrit:

"Sulme të tilla si ato në Evropë, na kujtojnë terrorin që mund të shkaktohet fare lehtë në sistemet hekurudhore amerikane. Për njerëzit që kanë udhëtuar me tren në jetën e tyre kjo nuk duket fare e habitëshme."

Zyrtarë të qeverisë amerikane dëshmuan në seancë rreth përpjekjeve për të përmirësuar trainimin dhe gatishmërinë në përballimin e sulmeve të mundëshme terroriste.

Robert Jamison, zëvendës administrator i Administratës Federale të Transportit Masiv, tha se ajo që mund të mësohet nga sulmet e Londrës dhe të Madridit është se vetëm përdorimi i teknologjisë anti-terror nuk mjafton:

"Megjithëse mundësia për të përmirësuar sigurinë në sistemin e transportit masiv në Shtetet e Bashkuara ekziston, ne e dimë se vetëm investimet nuk janë të mjaftueshme për të garantuar sigurinë. Masat për rrethimin e objekteve, për sigurimin e tuneleve dhe të urave dhe madje përdorimi i madh i kamerave të sigurisë, nuk do t’i kishin parandaluar sulmet as në Londër dhe as në Madrid."

Ai thotë se zyrtarët amerikanë vazhdojnë të analizojnë atë që ndodhi në Londër dhe në Madrid për të nxjerrë informacione të vlefshme që mund të shfrytëzohen nga autoritetet në qytetet amerikane.

Për shembull, policia e Uashingtonit ka dërguar njerëz në Izrael për të parë se çfarë taktikash përdorin autoritetet izraelite.

Zyrtarët në Uashington po presin të shikojnë rezultatet e kontrolleve që po kryhen në qytetin e Nju Jorkut, përpara se të vendosin nëse edhe këtu duhen ndërmarrë procedura të tilla.

Në një dëshmi që dha këtë javë në Kongresin amerikan, Sekretari i Sigurisë Kombëtare Michael Chertoff tha se shpërthimet e Madridit vitin e kaluar krijuan një reagim më të fuqishëm përsa i përket forcimit të masave të sigurisë në sistemin hekurudhor. Autoritetet, tha ai, e përqendruan më shumë vemendjen tek teknologjitë e reja për të zbuluar agjentët kimikë apo biologjikë që mund të përdoren nga terroristët.

Në të njëjtën kohë, shumë ligjvënës vazhdojnë të tërheqin vemendjen tek ai që ata e quajnë hendek i gjerë midis miliarda dollarëve të shpenzuar për sigurinë e transportit ajror dhe fondeve që duhen përdorur për sigurinë e sistemeve të transportit masiv.

XS
SM
MD
LG