Lidhje

Shqipëri: Partia Demokratike deklaron se bisedimet për qeverinë thuajse janë përfundur


Në Shqipëri drejtues të Partisë Demokratike deklaruan sot se bisedimet për qeverinë e ardhshme thuajse janë përfunduar dhe mbetet vetëm zyrtarizimi i tyre. Në pritje të përfundimit të procesit zgjedhor dhe shpalljeve të rezultatit, Partia Demokratike siç deklaroi sot nënkryetarja Jozefina Topalli, po përgatit të gjithë hapat e nevojshmë për të nisur punë menjëherë sapo të marrë në dorë drejtimin e vendit.

Partia Demokratike duket optimiste për ecurinë e bisedimeve për formimin e qeverisë së saj të ardhshme. Praktikisht sipas deklarimeve zyrtare janë mbyllur marrëveshjet me partinë e Bashkimit të të Drejtave të njeriut, partinë agrare apo dhe republikanët.

Prej disa ditësh duket megjithatë se nuk ka ndonjë përparim të dukshëm me demokratët reformatorë, ndërsa demokristianët u ndjenë të lënduar fundjavën e shkuar pas deklarimit të kryetarit Berisha se për ta nuk ka mundësi përfaqësimi në kabinetin qeveritar. Bisedimet megjithatë ndonëse në fokus kanë si zgjidhje të shpejtë ndarjen e posteve në kabinetin e ardhshëm që do të drejtohet nga zoti Berisha, janë ndalur edhe në formulën e bashkëpunimit në nivelet e tjera.

Sipas nënkryetares së partisë Jozefina Topalli realisht tratativat janë të përfunduara dhe se ka mbetur vetëm kryerja e një akti formal për t’i bërë ato zyrtare. Megjithatë nuk dihet nëse në këtë deklaratë zonja Topalli ka parasysh edhe përcaktimin e emrave të partisë demokratike që do përfshihen në kabinet.

Të paktën kryetari Sali Berisha, pak ditë më parë tha publikisht se për to nuk është folur ende, ndërsa burime brenda partisë shpjegojnë se tensioni i brendshëm dhe rivaliteti nuk mungojnë.

Në pritje të përfundimit të këtij procesi të gjatë zgjedhor të karakterizuar nga një lumë ankesash, të paraqitura në pjesën dërrmuese nga kandidatët socialistë, demokratët nuk kanë humbur kohë për të përgatur në mënyrë të detajuar programin e tyre qeverisës.

Zonja Topalli konfirmoi sot janë përgatitur vendimet, aktet ligjore dhe nënligjore në mënyrë që ditën e parë që do miratohet qeveria në parlamentin e ardhshëm ata të kenë menjëherë këto vendime të gatshme për të filluar.

Nga ana tjetër, në kampin socialist vazhdon të mbretërojë kaosi i brendshëm. Mungesa e gjatë e kryeministrit dhe kryatrit të partisë Fatos Nano, i cili u kthye në Shqipëri vetëm dje, pas dy javësh largimi pa adresë, vetëm sa ka coroditur akoma më shumë, pas humbjes në zgjedhje, partinë që për 8 vjet drejtoi vendin.

Ndërsa eksponentë të së majtës fajësojnë drejtpërdrejt zotin Nano si përgjegjës të rezultateve të 3 korrikut, në Partinë Socialiste, të paktën figurat drejtuese janë rezervuar të shprehen rreth përgjegjësive mbi zgjedhjet apo mbi deklarimin e zotit Nano për dorëheqje në rast të humbjes.

XS
SM
MD
LG