Lidhje

Serwer: Negociatatat për statusin e Kosovës, nuk do të ishin të suksesshme pa një prani të fortë amerikane


Një ekspert amerikan i çështjeve të Ballkanit thotë se negociatatat për statusin e Kosovës, nuk do të ishin të suksesshme pa një prani amerikane me peshë. Por para hapjes së bisedimeve Kosova duhet të marrë dritën jeshile për standartet, ku ndër më të rendësishmet është krijimi i kushteve për kthimin e të zhvendosurve. Daniel Serwer, Drejtor i Operacioneve për Paqen dhe Stabilitetin dhe i Nismës për Ballkanin në Institutin Amerikan të Paqes, thotë se kthimi është kryesisht përgjegjësi e autoriteteve të Kosovës. Zoti Serwer tha gjithashtu se nuk duhet që decentralizimi të kthehet në një justifikim për ndarjen e Kosovës në baza etnike.

Zëri i Amerikës: Zoti Serwer, kthimi i të zhvendosurve vazhdon të jetë një problem shumë i mprehtë në Kosovë. Çfarë mendoni se duhet bërë për të arritur përparim në këtë drejtim dhe pse nuk është arritur përparim aq sa duhet?

Daniel Serwer: Mendoj se ka shumë arsye: gjendja ekonomike nuk është e tillë që të inkurajojë kthimin e tyre, gjuha e ndryshme e serbëve dhe shqiptarëve e bën jashtë mase të vështirë, pasi nuk është e lehtë për një serb të shkojë në një komunitet që nuk e flet fare gjuhën e tij. Përveç kësaj mendoj se Beogradi nuk e ka inkurajuar kthimin e serbëve, apo të paktën nuk ka inkurajuar kthimin, me përjashtim të një numri të vogël enklavash.

Megjithatë është përgjegjësia e autoriteteve të Kosovës që të inkurajojnë kthimin e tyre dhe t’i japin shtysë. Është përgjegjësi e tyre dhe është në interesin e tyre ta bëjnë një gjë të tillë.

Zëri i Amerikës: Decentralizimi është një nga çështjet kryesore që po diskutohet këto ditë në Kosovë dhe me realizimin e tij mendohet që komuniteti serb do të ketë më shumë të drejta. Si mendoni se po ecën ky proces dhe pse është kaq i rëndësishëm për të gjitha komunitetet në Kosovë?

Daniel Serwer: Decentralizimi është një pjesë e rëndësishme për zgjidhjen e problemeve në gjithë Ballkanin, përfshirë Bosnjen, Kroacinë, Maqedoninë, madje edhe në vetë Serbinë. Kosova nuk ka pse të bëjë përjashtim. Por nuk është diçka e lehtë. Më duket se Kosova i ka hyrë tashmë këtij procesi. Situata nuk është e përkryer, por procesi po ecën. Megjithatë shqetësimi im është që decentralizimi të mos kthehet në justifikim për ndarje territoriale mbi baza etnike. Nuk duhet të lejohet që decentralizimi të kthehet në ndarje.

Zëri i Amerikës: Kohët e fundit angazhimi diplomatik i Washingtonit, e solli përsëri Kosovën në programin e komunitetit ndërkombëtar. A mendoni se ky angazhim do të vazhdojë gjatë gjithë procesit të statusit përfundimtar të Kosovës, apo Shtetet e Bashkuara do t’u lënë më shumë kompetenca evropianëve?

Daniel Serwer: Ajo që i mungon kuadrit të negociatave për statusin përfundimtar, është ana organizative. Mendoj se një formulë do të marrë formë në shtator, mendoj me dy të dërguar: një të dërguari amerikan, dhe një të Bashkimit Evropian. Shpresoj që ata të kenë të njëjtin status. Nuk më pëlqen ideja e një amerikani, si zëvendës nën drejtimin e Bashkimit Evropian. Shpresoj që ata të mos caktohen nga Kombet e Bashkuara, por nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara me një mandat të Kombeve të Bashkuara. Por të gjitha do të merren vesh në vjeshtë. Jam i sigurt që Grupi i Kontaktit po diskuton për hollësitë me Këshillin e Sigurimit. Por e gjithë kjo nënkupton përshpejtimin në përparimin e standardeve, diçka shumë e rëndësishme. Gjithashtu edhe raporti i zotit Aide do të jetë shumë i rëndësishëm.

Nuk mendoj se çështja e statusit mund t’u lihet në dorë vetëm evropianëve, procesi nuk do të jetë i suksesshëm nëse u lihet vetëm evropianëve. Duhet të ketë një përfaqësim të fortë amerikan në këto negociata. Nuk e di nëse kjo do të ndodhë, por unë po i nxis amerikanët që të caktojnë dikë me autoritet në negociata. Veçanërisht tani që Evropa ka problemet e veta, me hedhjen poshtë të Kushtetutës në Francë dhe Hollandë, është shumë e rëndësishme që amerikanët të kenë në negociata një përfaqësim të fortë.

Zëri i Amerikës: A mendoni se aspiratat euroatlantike, si të komunitetit shqiptar, ashtu edhe të atij serb, do të ndihmonin që të dyja këto komunitete ta shikonin me pragmatizëm statusin përfundimtar të Kosovës?

Daniel Serwer: Mendoj se është shumë e rëndësishme që ata të kenë perspektivën e Bashkimit Evropian para sysh. Pavarësisht nga vendimi që marrin sot, në një të ardhme, do të ketë liri lëvizjeje mes Serbisë dhe Kosovës, brenda Bashkimit Evropian. Do të kenë lirinë të vendosen ku të duan. Kështu që nëse mbahet në vëmendje kjo e ardhme, shumë gjëra bëhen më të lehta për të sotmen.

XS
SM
MD
LG