Lidhje

Tensioni i gjakut; Dëshpërimi i komplikuar


Tensioni i gjakut

Rezultatet e një studimi të ri mbi tensionin e gjakut tek të moshuarit, tregojnë se kjo sëmundje tek shumë nga personat mbi 80 vjeç jo vetëm që është një dukuri e përhapur por shumica e tyre nuk marrin trajtimin e nevojshëm. Thjesht, rezultatet e studimit tregojnë se jeta ose cilësia e jetës së këtyre të moshuarve është në rrezik serioz. Tensioni i gjakut të 80 vjeçarjes Xhin Çemers është 13 me 6, tregues mjat të mirë falë ilaçeve që ajo merr. “Pa këto ilaçe, tensioni do të me ngrihej shumë”, thotë ajo. Doktor Donald Lloyd Xhons thotë se mbi 75 përqind atyre që u përfshinë në studim vuajnë nga tensioni i lartë. Doktor Lloyd Xhons i universitetit Northwestern në Boston dhe kolegët e tij pranë institutit Framingham mbi studimin e sëmundjeve të zemrës morrën në shqyrtim për 6 vjet rresht mbi 5 mijë njerëz të moshuar. Gjatë studimit u vu re se punonjësit e shëndetësisë nuk i kushtojnë vemendjen e duhur tensionit të lartë tek personat e moshuar dhe nuk marrin masa për uljen ose vënien e tij nën kontroll. Sipas studimit, tek personat mbi 80 vjeç tensioni i lartë ishte trajtuar vetëm tek 38 përqind e burrave dhe tek 23 përqind e grave. “Jo vetëm kaq”, thotë doktor Lloyd Xhons, “por brenda 6 vjetëve të studimit, 25 përqind e më të moshuarve që vuanin nga hipertensioni ishin prekur nga sëmundje kardiovaskulare, çka do të thotë se ata ishin shtruar në spital pasi kishin pësuar goditje në zemër ose goditje në tru”.

Pra rreziqet e tensionit të lartë të gjakut janë reale dhe ilaçe të tilla si Thiazide Diuretikë janë treguar të efektshëm për uljen e tensionit dhe ato nuk kushtojnë shumë. Por sipas studimit, ilaçe të tilla marrin vetëm 33 përqind e personave mbi 80 vjeç.

Doktor Lloyd Xhons thotë se shumë prej pacientëve të tij që janë mbi 80 vjeç i thonë se kanë bërë një jetë të mirë dhe nuk befasohen edhe në se vdesin, por ata nuk duan të pësojnë ndonjë goditje cerebrale e të humbasin vetëdijen. Mënyra më e mirë për parandalimin e këtyre rasteve është vënia nën kontroll e tensionit të gjakut. Kjo është arsyeja që Xhin Çemers thotë se sado e moshuar që të jetë ajo do të vazhdojë t’i marrë ilaçet kundër tensionit, përfshi ilaçet diuretikë.

Terapia ndaj dëshpërimit

Ekspertët thonë se dëshpërimi në raste vdekjesh është i natyrshëm, por për rreth 20 përqind të njerëzve, ky dëshpërim është tepër i dhimbshëm dhe i gjatë. Kjo gjendje, kohët e fundit është quajtur dëshpërim i komplikuar dhe një studim i ri është i pari që vë në provë një terapi për trajtimin të tij. Jo shumë kohë më parë, qoftë edhe larja e enëve ishte e vështirë për Heather Katerxhin. Ajo ishte pushtuar nga një dëshpërim i thellë thuajse mpirës, pasi vajza e saj 19 vjeçare humbi jetën në një aksident automobilistik. “Nuk ka ndjenjë që të përshkruajë këtë agoni”, thotë Heather. “Dëshpërimi kthehet në dhimbje dhe njeriu mpihet komplet”. Kur një gjendje të tillë zgjat më shumë se 6 muaj, mjekët e quajnë atë dëshpërim të komplikuar. Mjekja Katherin Shear pranë universitetit të Pitsburgut në Pensilvani thotë se dëshpërimi i komplikuar është një sindromë e përcaktuar rishtaz. Për të nuk ka patur ndonjë trajtim, prandaj ajo ka zhvilluar një terapi të re dhe e ka vënë atë në provë. Mjekja Shear kryesoi grupin e ekspertëve që kryen studimin.

Ajo thotë se njerëzit që ishin prekur nga dëshpërimi i komplikuar thanë se trajtimi bëri që simptomat të ndryshonin dukshëm dhe jeta e tyre të ndryshonte rrënjësisht për të mirë. Tek këta persona, rezultatet pozitive u vunë re shumë më shpejt sesa tek ata që iu nënshtruan një terapie të zakonëshme. Trajtimi i dëshpërimit të komplikuar synon që pacienti të pranojë atë që ka ndodhur, pra humbjen e të afërmit, dhe të përqëndrohet në objektivat e jetës së vet personale. Në kuadër të terapisë, pacienti kalon edhe një herë me mendje ngjarjen që i ka ndodhur dhe e tregon ngjarjen me zë duke e regjistruar në kasetë. Në vazhdim të terapisë, pacienti dëgjon çdo ditë tregimin e tij, gjë që ndihmon në pakësimin e intensitetit të emocioneve. Kanë kaluar 2 vjet që kur Rene vdiq. Heather tani u gëzohet dy fëmijëve të tjerë. Ajo thotë se terapia e dëshpërimit e ka ndihmuar atë jashtëzakonisht. “Është një humbje që unë kurrë nuk do t’a harroj. Dhimbje gjithmonë do të ndjej, por terapia sikur më zgjon e më bën të kuptojë se jeta prapseprapë vazhdon”, thotë ajo

XS
SM
MD
LG