Lidhje

Një ecje tjetër në hapësirë për të riparuar anijen Diskavëri


Agjencia amerikane e hapësirës Nasa thotë se një astronaut i anijes Diskavëri do të bëjë një ecje tjetër në hapësirë nesër në përpjekje për të riparuar materialin mbushës që ka dalë nga anija pranë pllakave izoluese. Nasa thotë se nuk është e sigurt në se ky problem kërcënon sigurinë e anijes por riparimi i sistemit mbrojtës do të bëhet për të mënjanuar rritjen e temperaturave në nivele të rrezikshme gjatë kthimit në tokë.

Nasa njoftoi se do të kryejë një ecje tjetër në hapësirë për të riparuar dy pjesë të materialit mbushës që ka dalë nga pjesa e poshtme e Diskavërit. Astronautët Steve Robinson dhe Soichi Noguchi zëvendësuan me sukses një xhiroskop difektoz në Stacionin Ndërkombëtar gjatë ecjes së tyre të parë të hënën. Të dy ata hoqën xhiroskopinë dhe e zëvendësuan atë me një të ri gjatë ecjes 7 orëshe në hapësirë.

Operacioni i rëndësishëm për të ndrequr materialin mbushës është planifikuar për tu përballur me një problem që mund të kërcënojë rihyrjen e anijes në tokë. Wayne Hale, zëvendës menaxheri i programit të hapësirës tha në një konferencë shtypi se inxhinierët thjesht nuk ishin në dijeni të problemit në pjesën e poshtme të anijes. “Kemi punuar shumë gjatë tre ditëve të fundit për të hartuar një plan të thjeshtë dhe të sigurt që do të lejojë astonautin të dalë dhe ti shkëpusë këto dy copa mbushëse.”

Menaxherët e Nasës kanë diskutuar ditët e fundit për të vendosur në se pjesa mbushëse e pllakave mund të shkaktojë mbinxehje gjatë rifutjes dhe të çojë në një katastrofë si ajo e Kolumbias. Mbushja prej qeramike që përdoret për të ngjitur pllakat termale të Diskavërit ka dalë gati 2 centimetra në dy vende dhe disa inxhinierë janë të shqetësuar se materiali mund të fërkohet me ajrin aq sa të shkaktojë një nxehje të rrezikshme poshtë anijes.

Astronautët nuk kanë ndërmarrë asnjëherë një mision të tillë për të ndrequr anijen gjatë fluturimit. Ky do të jetë një operacion i pandreqshëm me rrezikun se astronautët mund të dëmtojnë aksidentalisht pjesën mbrojtëse termale delikate të anijes. Sipas planit fillestar operacioni do të kryet nga Stephen Robinson përmes krahut robotik gati 18 metra i cili do të përthyhet dhe do të rrotullohet rreth Diskavërit për të mundësuar astronautin të arrijë poshtë anijes. Robinson do të mundohet fillimisht të tërheqë copëzat dhe në se nuk arrin ta bëj dot këtë do të mundohet ti presë ato duke tërhequr materialin me pinca.

Astronautët e tjerë të Diskavërit dhe Kontrolli i Misionit do ta vrojtojnë atë gjatë gjithë kohës përmes kamerave në krahun e robotit. Kolegu i tij Soichi Noguchi do të jetë i zënë me diçka tjetër gjatë ecjes së tij në hapësirë. Nasa vendosi se dy astonautë do të ishin shumë për të bërë punën pasi mund të shkatoheshin përplasje të rrezikshme rreth anijes. Prania e copave mbushëse të dalë nga pllakat u vu re nga fotografitë e mara të mërkurën e kaluar gjatë procedurës së ankorimit në Stacionin Ndërkombëtar.

XS
SM
MD
LG