Lidhje

Xhon Bollton fillon detyrën e ambasadorit amerikan në OKB


Ambasadori i ri amerikan në Kombet e Bashkuara e kaloi ditën e parë të punës në një organizatë që ai e ka cilësuar më parë si pa vlerë. Zotit John Bolton iu bë dje një pritje me rezervë nga ana e Sekretearit të Përgjithshëm të OKB-së, Kofi Anan.

Diplomati pa dorashka, që ka ngjallur debate dhe që do të shërbejë si ambasador në OKB, i paraqiti dje letrat kredenciale Sekretarit të Përgjithshëm Anan. Zoti Bolton ka qënë ekspert për kontrollin e armëve pranë departametit amerikan të shtetit.

Udhëheqës të Partisë Demokrate e kishin akuzuar atë për manipulimin e informacioneve të zbulimit para luftës në Irak dhe për një stil të ashpër manaxhimi. Në të kaluarën ai ka kritikuar ashpër Kombet e Bashkuara. Administrata e presidentit Bush thotë se duhet një qëndrim më i vendosur për të ndryshuar burokracinë në OKB.

Por Sekretari i Përgjithshëm Kofi Anan tha se gadishmëria për të bërë kompromis është gjithashtu e nevojshme. “Është më se e rregullt për një ambasador që të përpiqet të arrijë diçka, por çdo ambasador nuk duhet të harrojë asnjë herë se në OKB ka edhe 190 ambasadorë të tjerë, që duhen bindur në mënyrë që të meret një vendim.”

Zoti Bolton u emëruar nga presidenti para 5 muajsh, por senati dy herë nuk arriti ta konfirmonte kandidaturën e tij. Dhe të hënën presidenti Bush i anashkaloi ligjvënësit duke shfrytëzuar një ligj që e lejon të bëjë emërime pa miratimin e seantit kur Kongresi është me pushime.

Udhëheqësit e Partisë Demokrate thanë se emërimi i tij pa u miratuar nga Kongresi, minon edhe më tej misionin e zotit Bolton. Ja si u shpreh senatori demokrat Russ Feingold nga shteti Wisconsin. “Jam dakord se në Kombet e Bashkuara ekzistojnë probleme të mëdha. Ne kemi nevojë të zhdukim korrupsionin, të rregullojmë administrimin e keq. Dhe për të bërë ndryshime të tilla, nuk duhet dërguar në OKB një zyrtar që as nuk beson në ekzistencën e kësaj organizate dhe që ka një reputacion të keq mes diplomatëve të tjerë. Prandaj nuk mendoj se zoti Bolton do të jetë i efektshëm.”

Ambasadori Bolton do të shërbejë në atë detyrë deri në janar të vitit 2007, kur të mblidhet kongresi i ardhshëm, në qoftë se kongresi i tanishëm nuk e konfirmon ndërkohë kandidaturën e tij.

XS
SM
MD
LG