Lidhje

Platforma e re globale për sukses ekonomik  sipas Thomas Friedman


Bota është e sheshtë, në fund të fundit. Dhe vetëm duke pranuar e mbrojtur këtë fakt, a mundet që dikush të ketë sukses? Kjo është ajo që thotë shkrimtari dhe gazetari, fitues i çmimit Pulitzer, Thomas Friedman, autor i librit të ri Bota është e Sheshtë: një Histori e Shkurtër e Shekullit të 21-të.”

Historia e shekullit të 21-të, që është vetëm 5 vjeçare, natyrshëm duhet të jetë e shkurtër. Por në librin “Bota Është e Sheshtë”, autori Thomas Friedman, thekson se ndryshimet që kanë ndodhur gjatë viteve të fundit janë afat-gjata dhe të thella. Një platformë e re globale, thotë ai, po e sheshon botën. “Pasuria do të shkojë tek ato vende, kompani dhe individë që e kuptojnë platformën e re globale, që e zhvillojnë atë, lidhen me të dhe e pasurojnë atë më tej.”

Platforma për të cilën e ka fjalën zoti Friedman, përbëhet nga tri elementë: interneti, që lidh më shumë njerëz dhe më lirë se sa çdo mjet telekomunikacioni në histori. Së dyti, bumi i biznesit të motivuar nga teknologjia në vitet ’90, kur miliarda dollarë u shpenzuan për të shtruar kabllo me fibra optike në mbarë botën dhe së treti, programet e përparuara kompjuterike, që bëjnë të mundur lundrimin në këtë rrjet të pafund kompjuterash. “Në se i bashkon këto së bashku, çfarë del? Një platformë globale me bazë interneti për të shkëmbyer njohuritë, punën, argëtimin dhe zbulimet.”

Zoti Friedman thotë se firma Walmart, kompania më e madhe në botë e shitjeve me pakicë, është shembulli primar i mënyrës së të operuarit në këtë platformë globale. “Mendoni për një moment: Walmarti është kompania më e madhe sot në Amerikë dhe ajo nuk prodhon asnjë mall. Ajo ka formuar këtë rrjet gjigand furnzimi me artikuj nga gjithë bota, shumë të lira, me shumë polemika se si i siguron kaq lirë dhe le mos ta harrojmë këtë fakt, por arrin t’i qarkullojë mallrat nga gjitha bota në një mënyrë që ne nuk e kemi parë kurrë më parë. Si një linjë montimi globale.”

Zoti Friedman thotë se individët kanë nevojë për dy gjera për të qënë të suksesshëm në platformën globale: arësimin dhe infrastrukturë. “Qindra mijëra njerëz në Indi po bashkëpunojnë sot me amerikanë për projekte nga më të ndryshmet. Ata arrijnë ta bëjnë këtë për dy arësye kryesore: e para se qeveria e tyre ka krijuar infrastrukturën e duhur dhe e dyta se kanë aftësinë për një gjë të tillë.”

Zoti Friedman e pranon nga ana tjetër se miliona njerëz në mbarë botën nuk kanë kushte as për arësimim dhe as për infrastrukturën bazë. Megjithatë platforma globale, shton ai, ofron mundësi për të gjithë. “Zbulimi tjetër i madh në bioshkencë mund të vijë nga një 15 vjeçar në Rumani që shkarkon në telefonin e tij celular prej 12 dollarësh hartën e genomit njerëzor, bën paralelisht një kërkim në internet për genomin njerëzor, e çon gjithë informacionin në kompjuterin e shtëpisë prej vetëm 200 dollarësh dhe fillon punon në të.”

Zoti Friedman beson se kjo botë e sheshtë, siç e quan ai, do të ndihmojë si për arritje pozitive, ashtu edhe për qëllime shkatërrimtare. “Bota e sheshtë funksionon si për IBM-in ehde për Bin Ladenin. Al-Kaida është një rrjet furnizimi global i hapur, vetëm se ndryshe nga Wallmarti, që shet veshje, këpucë e pastrues, al-Kaida është një furnizues vetë-vrasësish. Por ajo vepron pak a shumë në të njejtën mënyrë dhe përdor të njejtën botë të sheshtë.”

Por ka edhe shqetësime të tjera për këtë globalizim të shpejtë, ose sheshim të botës. Shumë njerëz besojnë se po u shkatërrohet kultura. Por zoti Friedman beson se e kundërta është e vërtetë. “20 vjet më parë, një njeri në Indi ose Kinë, sado i aftë të ishte, duhet të largohej prej andej për të përfituar nga aftësitë e tij. Duhej të shkoje për shembull në Minesotën me dëborë, andej nga jam unë, dhe të hiqje dorë nga veshjet tradicionale, ushqimi tradicional dhe të shkëputeshe nga miqtë e familja. Sot bota ka ndryshuar, është bërë e sheshtë, dhe mund të shpikësh pa qënë nevoja të emigrosh. Kjo është shumë pozitive për kulturën.”

Thomas Friedman është autor i librit Bota Është e Sheshtë, Një Histori e Shkurtër e Shekullit të 21-të”. Ai është gazetar, fitues i çmimit Pulitzer, në gazetën Nju Jork Tajms.

XS
SM
MD
LG