Lidhje

Vacek: Çdo trysni mbi KQZ-në dhe Kolegjin Zgjedhor është e papranueshme


Në Shqipëri kryetari i parnisë së Osbe-së në Tiranë ambasadori Pavel Vacek tha sot se çdo trysni ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Kolegjit Zgjedhor është i papranueshëm.

Ndërsa presidenti Alfred Moisiu u shpreh për mbylljen e shpejtë të procesit dhe fillimin e punës së institucioneve të reja. Sipas tij problemet e shfaqura në fazën e administrimit të rezultatit nuk e prekën thelbin e procesit.

Këto komente u bënë gjatë një ceremonie me rastin e 30 vjetorit të nënshkrimit të Aktit Përfundimtar të Helsinkit Ambasadori Pavel Vacek që drejton praninë e Osbe-së në Shqipëri, organizatës që pati një rol kyç në përgatitjen dhe vëzhgimin e zgjedhjeve të 3 korrikut deklaroi sot se para se parlamenti i ri të mund të mblidhet dhe qeveria e re të bëjë betimin procesi zgjedhor duhet të përfundojë me sukses. Ai paralajmëroi se trysnia ndaj institucioneve që po merren me zgjedhjet në këtë fazë përmbyllëse është e papranueshme: "Duke patur parasysh qindra kërkesa ankimore, roli i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Kolegjit Zgjedhor është bërë shumë i rëndësishëm. Cdo trysni mbi to është e papranueshme", tha ambasadori Vacek duke kërkuar që "paregullsitë në punën e komioneve të qendrave të votimit apo grupeve të numërimit të votave si dhe përpjekjet për manipulime nuk duhet të përsëriten në ato zona ku do të ketë rivotim. Kjo - shtoi ai - është mënyra më e mirë për të siguruar që zgjedhjet në Shqipëri do të përcaktohen nga vullneti i votuesve dhe jo nga gjykatat".

Nga ana e tij presidenti Moisiu u shpreh se zgjedhjet e fundit parlamentare shënuan një progres të dukshëm. Problemet e shfaqura në fazën e administrimit të rezultateve deklaroi ai nuk prekën thelbin e procesit: "Me dëshirën për ecje më të shpejtë përpara për mbylljen e procesit dhe fillimin e punës së institucioneve të reja post zgjedhore, gjej rastin të apeloj të gjithë politikanët, të votuar ose jo, që me sjelljen e tyre të dëshmojnë përgjegjësi politike e qytetare, vetpërmbajtje dhe respekt të plotë ndaj vullnetit të elektoratit dhe parimeve demokratike".

Deklaratat e sotme të ambasadorit Vacek dhe presidentit Moisiu u bënë në një ceremoni me rastin e 30 vjetorit të nënshkrimit të aktit Përfundimtar të Helsinikit, dokumenti themelor i Konferencës për Sigurim dhe Bashkëpunim në Europë.

Shqipëria u bë anëtare e organizatës duke nënshkruar dhe Aktin e Helsinkit në vitin 1991. Prej 1995 organizata mori emrin OSBE-së, e cila ngriti praninë e saj në Shqipëri në vitin 1997. Nga ajo kohe OSBE ka qenë e përfshirë në zhvillimet kryesore politike të vendit. Bashkëpunimi me autoritetet shqiptare nuk ka kaluar pa përplasje. Pak vite më parë Tirana kërkoi reduktimin e pranisë së OSBE-së e cila kishte hapur zyra në shumë qytete të vendit. Kërkesë që u pasua me mbylljen e pjeses me te madhe te përfaqësive lokale.

Sot ambasadori i OSBE-së në mënyrë indirekte kërkoi që përfaqësia në Shqipëri të mos reduktohej më tej. Ai u shpreh se "madhësia e sfidave të brendshme e të jashtme të Shqipërisë nuk do të zvogëlohet duke reduktuar mandatin apo personelin e prezencës."

XS
SM
MD
LG