Lidhje

Britania merr masa të reja kundër ektremizmit


Kryeministri britanik Tony Blair shpalli një numër masash që synojnë ndëshkimin e atyre të cilët përhapin urrejtje dhe predikojnë dhunën në Britani. Të huajve në listën e zezë të qeverisë mund t’u refuzohet hyrja në vend ose mund të deportohen nëse ndodhen në Britani. Edhe shtetasit britanikë mund të burgosen për shkelje të ngjashme. Tom Rivers njofton nga Londra.

Duke iu referuar shpërthimeve të 7 korrikut në Londër, kryeministri Tony Blair tha se “rregullat e lojës po ndryshojnë”. Ai tha se ka ardhur koha që Britania të forcojë ligjet kundër atyre të cilët nxisin pikpamje ekstremiste. Në një konferencë shtypi që dha në rezidencën e tij zyrtare, zoti Blair paraqiti një seri rregullash që ai synon të verë në zbatim për t’ju kundërvënë kërcënimeve të reja, siç u shpreh ai.

Sipas rregullave të propozuara, Britania do të hartojë një listë të personave që predikojnë ekstremizmin dhe që nuk do të lejohehn të hyjnë në Britani. Procedurat e deportimit do të përshpejtohen për të huajt që shprehin pikpamje ekstremiste. Ata njerëz në Britani që predikojnë ekstremizmin mund të deportohen ose t’u hiqet shtetësia e dyfishtë. "Njerëzit nuk mund të vijnë këtu dhe të abuzojnë me ndershmërinë dhe tolerancën tonë. Ata nuk mund të vijnë këtu dhe të nxisin të rinjtë tanë, komunitetet për të krijuar dhunë kundër popullit britanik. Dhe nëse e bëjnë këtë, ata duhet të kthehen nga kanë ardhur. Më vjen keq por nuk ka kuptim që të gënjejmë veten lidhur me natyrën e këtij problemi. Ai ekziston, ekziston në komunitetet tona dhe ne duhet ta çrrënjosim."

Kryeministri hodhi poshtë kritikat se masat kundër klerikëve radikalë do t’i armiqësonin myslimanët që jetojnë në Britani. "Mendoj se komuniteti mysliman në këtë vend është shumë më i ndjeshëm se kaq. Mendoj se ata e dinë fare mirë se këta njerëz janë një kërcënim për komunitetin e tyre. Dhe unë besoj se përmes diskutimeve dhe konsultimeve të duhura kjo do të gjejë mbështetje", tha zoti Blair.

Shami Chakrabarti, drejtor i grupit të të drejtave civile Liberty me qendër në Londër, thotë se duke patur parasysh ata që ka bërë qeveria gjatë tre viteve të fundit, këto masa mund të shkaktojnë efektin e kundërt, dhe të bëjnë lojën e terroristëve. "Një fjali që zoti Blair përsëriti disa herë se “tani rregullat e lojës do të ndryshojnë” sepse njerëzit e kanë parë se kërcënimi u vu në jetë. Le ta kemi të qartë se gjyqësori dhe madje edhe organizata si kjo e imja kurrë nuk e kanë nënvleftësuar kërcënimin – ne thjesht kemi patur pikpamje të ndryshme nga kryeministri se si duhet përballuar ai. Mendoj se disa nga padrejtësitë e mëdha që janë kryer për shkak të legjislacionit antiterror i kanë keqësuar dhe jo përmirësuar gjërat,” thotë zoti Chakrabarti.

Kryeministri Blair shpjegoi nga ana e tij se është i gatshëm t’u bëjë ndryshime ligjeve për të drejtat e njeriut në mënyrë që rregullat e reja të gjejnë zbatim. Por ai e pranoi se betejat juridike për këtë qëllim mund të jenë të vështira nëse planet e tij kundërshtohen nëpër gjykata.

XS
SM
MD
LG